Vuçiç në prag të zgjedhjeve hap ‘Call Center’

  • A.P /
  • 29 November 2023 - 13:52
Vuçiç në prag të zgjedhjeve hap ‘Call Center’

Partia Progresive e Serbisë (SNS) ka hapur një qendër të thirrjeve në Beograd, ku janë të punësuar rreth 350 aktivistë, transmeton Qendra për Gazetari Hulumtuese në Serbi (CINS), detyra kryesore e të cilëve është të thërrasin qytetarët serbë dhe t’u kërkojnë vota për partinë në pushtet në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të planifikuara më 17 dhjetor 2023, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nga atje më shumë se 100 persona telefonojnë qytetarët serbë çdo ditë dhe i pyesin nëse do të votojnë për SNS-në e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të dhjetorit, ndërsa CINS ka hedhur dyshime për blerjen e votave nëpërmjet parave nga “fondet e zeza” të SNS-së dhe dhënien ose marrjen e ryshfetit në lidhje me zgjedhjet.

CINS ka zbuluar se si punësohen njerëzit për të punuar në këtë qendër, sa paguhen dhe cili është parakushti kryesor. Në këtë grup, sipas hulumtimit, janë punësuar mbi 350 persona, aktivistë të SNS-së, ndërsa punojnë me turne dhe marrin rrogë ditore prej rreth 50 euro për pak më shumë se katër orë punë, përfshirë shtesa për ushqim dhe kafe.

Megjithatë, kjo nuk është e gjitha. Nga personat e interesuar fillimisht kërkohet që të votojnë për SNS-së para se të punësohen në këtë qendër. Madje, ata duhet të fotografojnë fletëvotimin dhe ta dërgojnë në adresën e personave përgjegjës, përkundër se fotografimi i fletëvotimeve është i ndaluar, duke marrë parasysh rregullat e Komisionit të Zgjedhjeve të Serbisë.

Puna në qendrën e thirrjeve të SNS-së ndahet midis personave që merren kryesisht me realizimin e telefonatave dhe personave të tjerë që merren kryesisht me futjen e qytetarëve serbë në bazën e të dhënave të SNS-së, ku janë të përfshirë secili qytetar, pavarësisht se për cilën parti politike do të votojë në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë. 

(Kosova Sot Online)