Ky shtet do ta rris numrin e ushtarëve në Kosovë

  • A.P /
  • 29 November 2023 - 18:55
Ky shtet do ta rris numrin e ushtarëve në Kosovë

Këshilli Federal i Zvicrës ka marrë vendim që të dërgojë edhe 20 ushtarë të tjerë në KFOR në Kosovë nga prilli 2024, derisa ky vendim vjen për të zëvendësuar njësinë e transportit që Austria do të tërheqë nga misioni pranverën e ardhshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Qershorin e kaluar, Parlamenti miratoi pjesëmarrjen e Zvicrës në KFOR deri më 31 dhjetor 2026. Ai gjithashtu i dha Këshillit Federal fuqinë për të rritur, gjatë mandatit dhe deri në fund të angazhimit, fuqinë e një maksimumi 30 ushtarë për të plotësuar nevojat e mundshme shtesë.

Austria, nga ana e saj, i njoftoi NATO-s se donte të reduktonte pjesëmarrjen e saj në KFOR gjatë pranverës së vitit 2024. Ajo do të tërheqë dy njësi: një kompani këmbësorie dhe një kompani transporti. Kështu, forca e kontingjentit austriak do të reduktohet shumë.

Për të plotësuar këtë boshllëk, në marrëveshje me NATO-n, Këshilli Federal ka vendosur që nga prilli 2024 të përforcojë kontingjentin zviceran me 20 ushtarë shtesë, të cilët do të angazhohen në fushën e transportit. Kështu, kontingjenti “Swisscoy” do të rritet nga 195 në 215 ushtarë vullnetarë.

20 ushtarët do të ofrojnë të gjitha shërbimet e KFOR-it në fushën e transportit të njerëzve, materialeve dhe mallrave.

Këshilli Federal përmend edhe sulmin e 24 shtatorit “ku mbetën të vrarë tre sulmues serb e një polic kosovar”, derisa thonë se siguria e ushtarëve zviceranë mbetet e pandryshuar.

“Pavarësisht situatës aktuale, siguria e ushtarëve zviceranë të pranishëm në Kosovë mbetet e pandryshuar”, thotë Këshilli Federal.

“Ata ishin të përgatitur të punonin në një kontekst të tillë dhe të kërkonin siguri nëse ishte e nevojshme. Ata dinë të reagojnë gjatë tensioneve etnike dhe politike. Zvicra mund të vendosë të tërheqë Swisscoy në çdo kohë”, thuhet në tutje në njoftimin e Këshillit Federal.

“Që nga tetori i vitit 1999, ushtria zvicerane ka marrë pjesë, me Swisscoy (Kompania Zvicerane), në misionin shumëkombësh të NATO-s për promovimin e paqes (Forca e Kosovës, KFOR) në Kosovë. Swisscoy përbën kontributin më të rëndësishëm operacional në kuadër të partneritetit të Zvicrës me NATO-n. Angazhimi i KFOR-it bazohet në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thotë Këshilli.

(Kosova Sot Online)