Blinken largohet, O’Brien mbetet për takime në Shkup, Grubi tregon çfarë kanë diskutuar me të

  • S.A /
  • 30 November 2023 - 12:02
Blinken largohet, O’Brien mbetet për takime në Shkup, Grubi tregon çfarë kanë diskutuar me të

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka njoftuar për takimin që ka pasë me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europë dhe Euroazi, James O’Brien, bashkë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Grubi tha se kanë diskutuar për ndryshimet kushtetuese që i kërkohen Maqedonisë së Veriut dhe për qasjen e re ndaj Ballkanit Perëndimor me Planin e Rritjes,transmeton "Kosova Sot Online ".

“Bashkë me Kryeministrin Kovaçevski mirëpritëm sot në takim Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Europë dhe Euro-Azi, z. Xhejms O’Brajan dhe Ambasadoren e SHBA-ve në vendin tonë, znj. Angela Aggeler. Potencuam fokusin serioz të vendit tonë në procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve demokratike parlamentare dhe presidenciale, vazhdimin e realizimit të të gjitha reformave të nevojshme dhe rëndësinë e madhe që ka për ne Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor si qasje e re për integrimin tonë më të shpejtë. Përkrahja e SHBA-së ka qenë dhe mbetet jetike në çdo etapë të zhvillimit tonë të mëtejshëm demokratik”, ka shkruar Grubi. O’Brien po qëndron në Shkup ku janë duke u mbajtur punimet e samitit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u largua mbrëmë nga Shkupi.

Blinken mbërriti në Shkup të mërkurën mbrëma ku u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani.

Pas takimit me Osmanin, Blinkeni ka marrë pjesë në darkën e punës të organizuar në margjinat e samitit të OSBE-së, i cili fillon më 30 nëntor dhe mbaron më 1 dhjetor.

Blinkeni u largua nga Maqedonia e Veriut pas darkës, ndërsa shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, do të arrinte në Shkup më vonë gjatë mbrëmjes.

Në samitin e OSBE-së që po mbahet sot po marrin pjesë diplomatë të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

(Kosova Sot Online )