Proces jo transparet, aprovohet kërkesa e të dëmtuarit, përjashtohet publiku në gjykimin për fajde

  • S.A /
  • 01 December 2023 - 12:14
Proces jo transparet, aprovohet kërkesa e të dëmtuarit, përjashtohet publiku në gjykimin për fajde

Pas tetë seancave të dështuara, në seancën e nëntë me radhë, janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, megjithatë me kërkesën e të dëmtuarit Kushtrim Musliu, është përjashtuar publiku në gjykimin për fajde, transmeton "Kosova Sot Online".

Në këtë rast, Enver Avdullahu bashkë me Rrahim Sallahun, Fatlum Abazin dhe Bujar Avdullahun, ngarkohen se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave, në të cilat shuma edhe kishin marrë fajde, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I dëmtuari Kushtrim Musliu ka kërkuar përjashtimin e publikut me arsyetimin se që 7 vjet nuk mund të punësohet dhe se askush nuk ka të drejtë të shkruajë për jetën e tij dhe të dhënat financiare.

“Që 7 vjet unë as n’punë s’muj me hi prej tyre, për “Betimi për Drejtësi”, çka jon ata tjerët me ren, kërkoj edhe prej trupit gjykues, me nau referu me iniciale dhe mos me qit fotografi, kom të drejtë në bazë të Kodit Penal”, ka thënë i dëmtuari Musliu.

Kurse, prokurorja e shtetit Dulina Hamiti ia ka lënë në kompetencë gjykatës për të vendosur.

Po ashtu, edhe i akuzuari Enver Avdullahu me mbrojtësen e tij avokaten Mevlyde Qerimi ia kanë lënë në diskrecion gjykatës për të vendosur, ndërsa të akuzuarit Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu me mbrojtësit e tyre kanë përkrahur mendimin e palës së dëmtuar për përjashtimin e publikut.

Lidhur me këtë, trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit mori aktvendim për përjashtimin e publikut në këtë çështje me arsyetimin se rrezikohen të dhënat financiare përkatësisht pronat e të dëmtuarit dhe për shkak të shëndetit të tij mendor, pasi që i njëjti ka paraqitur shqetësim të vazhdueshëm nga prania e mediave në sallë.

Ndryshe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm i dëmtuari Bexhet Musliu, për të cilin gjykata kishte lëshuar urdhër për sjellje me shoqërim nga stacioni policor në Prishtinë.

Lidhur me mungesën e tij, zyrtarja policore Igballe Berisha tha se ata kanë biseduar me djalin e tij, të dëmtuarin Kushtrim Musliu dje dhe sot, por që arsyetimi i tij ka qenë se babai i tij është i sëmurë dhe nuk mund të vijë në seancë.

Po ashtu, gjykatësi Foniqi ka njoftuar se të enjten në zyrë ka telefonuar i dëmtuari Bexhet Musliu duke thënë se do të jetë i pranishëm në seancë dhe duke kërkuar që kjo seancë të jetë e mbyllur për publikun.

“Unë i kam thënë atij që këtë kërkesë mund ta paraqes vetëm në seancë, dhe kam pritur që ai do të jetë i pranishëm këtu”, ka thënë gjykatësi Foniqi.

Paraprakisht, meqenëse kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga mbajtja e seancës së fundit dhe për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, janë konsideruar të lexuara veprimet e ndërmarra deri më tani.

Për këtë rast edhe seancat e caktuara më 16 janar 2023, 14 shkurt 2023, 16 mars 2023, 17 maj 2023, 8 qershor 2023, më 17 korrik 2023, 5 shtator 2023 dhe 20 tetor 2023 nuk ishin mbajtur.

“Betimi për Drejtësi”, më 26 nëntor 2022, kishte transmetuar emisionin me titull “Gjykatësi “fle” mbi lëndën e fajdesë”, ku ishte trajtuar fakti se kishin kaluar afro 5 vite që kur ishte mbajtur seanca e fundit për këtë rast dhe nuk ishte caktuar asnjë seancë. Pas hulumtimit të “Betimit për Drejtësi”, KGJK më 31 gusht 2023 i kishte shqiptuar vërejtje publike me shkrim gjyqtarit Naser Foniqi se zvarriti për afro 5 vite lëndën e fajdesë

Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të 2016-ës, ka ngritur aktakuzë kundër Enver Avdullahut, Rrahim Sallahut, Fatlum Abazit dhe Bujar Avdullahut, nën dyshimin se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjete motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde. Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh.

Me këtë, Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu dhe Fatlum Abazi po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Kurse, Enver Avdullahu dhe Bujar Avdullahu po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

(Kosova Sot Online )