Krimi që tmerroi rajonin: Prokurori zbulon të gjitha detajet për vrasjen e 14-vjeçares

  • E.K /
  • 04 December 2023 - 13:47
Krimi që tmerroi rajonin: Prokurori zbulon të gjitha detajet për vrasjen e 14-vjeçares

Prokurori maqedonas Gavril Bubevski tha sot se ka informacione se nëna e të vrarës Vanja G. së fundmi e ka shitur banesën e saj, që ka qenë edhe motivi i rrëmbimit të vajzës, transmeton "Kosova Sot Online".

Ai në konferencën për media në Shkup ka thënë se babai i vajzës ka qenë në kontakt me të dyshuarin kryesor, i cili aktualisht është në arrati dhe i ka treguar për këtë, si dhe se kur do të largohej vajza nga shtëpia.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski ka thënë se dy vrasjet e fundit janë kryer nga njerëz të njëjtë por nuk lidhen me njëra tjetrën.

Raportohet se vrasja e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska është kryer për arsye financiare, duke e kidnapuar vajzën për të marrë para nga nëna, kurse vrasja e dytë, e 74 vjeçarit nga Velesit, ka lidhje me konflikte të mëhershme.

“Edhe pse Maqedonia priti që t’i gjejmë të gjallë, ne dy viktimat i gjetëm të vdekur. Në emër të gjithë MPB-së i shpreh ngushëllimë familjes dhe gjithë Maqedonisë. Pesë persona janë të përfshirë në këtë vrasje. Tre personave ju është caktuar paraburgim, njëri është në arrati kurse babai i të miturës është ndaluar nga policia, si pjesmarrës në këto ngjarje duke dhënë informacione për vendin e ndodhjes së vajzës” tha mes tjerash Spasovski.

“Tek vrasja e së miturës bëhet fjalë për kushtëzim që të merren para nga nëna e vajzës, dhe kjo është bërë në dijeni të një familjari”, tha ai, raporton Alsat-M.

“Ngjarja e dytë, vrasja e 74 vjeçarit nuk lidhet me vrasjen e së miturës, por vetura e viktimës së parë është shfrytëzuar gjatë kidnapimit të së miturës Vanja Gjorçevska. Kemi informacione se personi i dytë i vrarë, 74 vjeçari është vrarë vetëm pse ka pasur konflikt më herët me një nga të dyshuarit për krimin e kryer”.

Sipas tij, gjatë rrëmbimit të vajzës së mitur është përdorur vetura e të moshuarit të vrarë në Veles, derisa viktimat nuk janë njohur me njëri-tjetrin. Ministri maqedonas shtoi se rrëmbimi i vajzës është bërë me informacion paraprak nga babai i saj.

Spasovski tha se motivi i dy vrasjeve ka qenë interesi, ndërsa në një rast është përfshirë edhe një person nga familja më e afërt e viktimës.

“Një prej personave, në marrëveshje dhe në dijeni, sipas konstatimeve fillestare, të një familjari ka organizuar ekzekutimin e krimit, me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e të miturës, nga të cilat të gjithë personat e përfshirë do të përfitonin financiarisht”, tha ai.

“Viktima nga Velesi nuk ka lidhje me të miturën e vrarë, por në të dyja rastet autorët ishin të njejtë dhe se 74 vjeçari u vra për shkak të marrëdhënieve të pa-pastruara me të dyshuarit. Automjeti i viktimës pas vrasjes është konfiskuar dhe më pas djegur.”

“E mitura Vanja është marrë nga banesa me atë mjet, pasi babai ka ndarë informacione për ditën dhe orën kur vajza do të dilte nga shtëpia”.

(Kosova Sot Online)