Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim

  • A.P /
  • 05 December 2023 - 14:02
Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim

Në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022, Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.'

Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.

Derisa edhe në matematikë Kosova është renditur në vendin e gjashtë nga fundi.

Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se këto kanë qenë rezultate të pritshme duke pasur parasysh problemet me mësimin gjatë pandemisë.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

Kosova nuk ka regjistruar rezultate të mira në testin PISA ndër vite.

Ndryshe, viti 2022 do të jetë hera e tretë që Kosova do t’i  nënshtrohet testit për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve, i njohur si PISA.

PISA, testi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim, që bën vlerësimin e njohurive të nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë, e ka nxjerrë Kosovën dy herë radhazi në fund të listës botërore gjatë vitit 2015 dhe 2018.

Rezultatet e testit të mbajtur në vitin 2015 ishin publikuar në vitin 2016, dhe Kosova ishte radhitur në vendin e 68-të në mesin e 72-vendeve që kishin marrë pjesë në test.

(Kosova Sot Online)