Ankohet babai i Naim Murselit: E tmerrshme çka po shkruajnë për djalin tim

  • A.P /
  • 05 December 2023 - 13:50
 Ankohet babai i Naim Murselit: E tmerrshme çka po shkruajnë për djalin tim

Mbi raportimet për një kërkesë divorci në vitin 2019 dhe pretendimet se ai ka pasur një lidhje dashurie me një burrë, ka folur Shaban Murseli, babai i Naim Murselit, i cili dyshohet se e porositi vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai i hodhi poshtë të gjitha pretendimet, ku tha se në vitin 2019, Naimi dhe Liridona ishin shpërngulur në Gjermani ku edhe e kanë bartur adresën prej vendit ku jetonin, Suedisë.

“Në vitin 2019 ishte shpërngulur në Gjermani për një kohë dhe tash kur e ka bartur adresën prej Suedisë, ka shkuar edhe Liridona vetëm një muaj dhe s’ka mundur të rri më shumë dhe e kanë marrë si divorc. Por, s’ka të bëjë aspak, kjo është gënjeshtër e kulluar”.

“Unë e dëgjova mbrëmë një spekulim që ka pasur lidhje dashurie edhe me burrë, por ajo është e tmerrshme çka po shkruajnë”, tha ai në “New24”, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Shaban Murseli foli edhe për mundësinë që ka mundur ta çojë djalin e tij në aktin makabër, ku tha se frikësohet se mos ka qenë i kërcënuar.

“Unë veç e kam një frikë shumë të madhe, mos ka qenë jeta e tij në rrezik, i kërcënuar se përndryshe nuk ka asnjë teori tjetër. Ky është marrë me biznes dhe politikë, nuk e di tash. Më së miri e di ai”, tha ai.

Prindi i Naimit përsëriti deklaratën e tij ku tha se po të kishte informata se vrasjen e Liridonës e ka porositur Naimi, “ai s’do jetonte më, do të isha marrë vetë me Naimin, do ta ekzekutoja me dorën time”.

Murseli bëri të ditur se ka bërë kërkesë që të marrë pjesë në rivarrosjen e Liridona Ademajt, por që e njëjta kërkesë i është refuzuar nga familja e saj.

Ndër të tjera, ai tha se fëmijët e Naimit dhe Liridonës ende nuk e dinë se çka ka ndodhur.

“Fëmijët ende nuk dinë se çka ka ndodhur sepse unë dua që ta dinë në prani të psikologëve. Shumë shpejt do të shkoj në Suedi dhe do t’i marrë edhe fëmijët me vete”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)