Deri tani, katër të vdekur nga moti i keq në Gjermani

  • E.K /
  • 06 December 2023 - 12:58
Deri tani, katër të vdekur nga moti i keq në Gjermani

Referuar zhvillimeve të fundit, Gjermania numëron katër të vdekur, përfshirë një djalë 10-vjeçar, në zonat që janë prekur veçanërisht ditët e fundit nga moti i keq, përcjell albinfo.ch.

Probleme të rënda ekzistojnë në autostrada, ku rrëshqitja e mjeteve në rrugë shkaktoi vështirësi të mëdha në drejtimin e automjeteve.

Probleme dhe vonesa mbeten edhe në aeroportin e Mynihut, ku pasagjerët vazhdojnë të kenë vështirësi, pavarësisht se dje ka filluar me fluturimet. Bora dhe akulli në pjesë të Gjermanisë jugore çojnë në ndërprerje të shërbimit të tramvajit dhe aksidente trafiku.

Dy burra humbën jetën në një autostradë në Bavarinë jugore, kur makina me të cilën po udhëtonin u përplas me një kamion për shkak të rrugëve “të ngrira”. I njëjti fenomen shkaktoi shumë më tepër aksidente trafiku në zonën e Mynihut.

Në një rajon gjysmë malor të Saksonisë, një autobus u përplas me një borëpastrues dhe më pas në një pemë, duke vrarë një djalë 10-vjeçar që ishte në autobus. Shoferi dhe një pasagjer tjetër kanë mbetur të plagosur rëndë. Në Baden-Württemberg, një 57-vjeçar nuk arriti të përdorte në kohë sistemin e frenimit dhe u përplas me një autobus. Nga përplasja e fuqishme ai ndërroi jetë.

Në aeroportin e Mynihut disa fluturimet janë pezulluar sërish sot për shkak të akullit, ndërsa orari i fluturimeve mbetet i kufizuar.

(Kosova Sot Online)