Bislimi e mirëpret në takim ambasadorin e Arabisë Saudite

  • A.P /
  • 07 December 2023 - 18:11
Bislimi e mirëpret në takim ambasadorin e Arabisë Saudite

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilja Rexhepi, priti në takim ambasadorin jo-rezident të Arabisë Saudite për Kosovë, Faisal Hifzi Ghazi, me të cilin biseduan rreth marrëdhënieve mes dy shteteve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ambasadori Ghazi shprehu gatishmërinë e tij për thellimin e konsolidimin e bashkëpunimit bilateral e në fusha me interes të përbashkët, si energjia, infrastruktura e arsimi.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e mirëpriti përkushtimin e ambasadorit, si dhe theksoi angazhimin e Kosovës në fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Vullneti është i përbashkët andaj dhe puna do vijojë bashkërisht në këtë drejtim”, ka deklaruar Bislimi, citon Kryeministria.

Bislimi foli dhe mbi potencialin zhvillimor të vendit, mundësitë që i ofron Kosova e format si mund të shërbejnë ato në benefit të thellimit të këtij bashkëpunimi.

Në takim thuhet se është përmendur shkëmbimet e vizitave mes delegacioneve nga Kosova e Arabia Saudite, numri i të cilave po rritet vazhdimisht e që ka hapësirë për intensifikimin e tyre. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për vizitën e tij në Kosovë dhe bisedën produktive.

(Kosova Sot Online)