Sot 33 vite nga Lëvizja Studentore që solli demokracinë në Shqipëri

  • S.A /
  • 08 December 2023 - 12:26
Sot 33 vite nga Lëvizja Studentore që solli demokracinë në Shqipëri

Sot 33 vjet më parë një grup studentësh dhe pedagogë shënuan tronditjen e parë të diktaturës, e prej asaj dite 8 dhjetori kujtohet si Dita Kombëtare e Rinisë. Me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare, transmeton "Kosova Sot Online ".

Përmes protestave paqësore nga Qyteti Studenti në sheshin e Tiranës, ata përmbysën regjimin 50 vjeçar të komunizmit.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke rrëzuar përfundimisht diktaturën komuniste .

(Kosova Sot Online )