Talat Xhaferi të nominohet si kandidat për kryeministër në Maqedoninë e Veriut

  • A.P /
  • 08 December 2023 - 17:25
Talat Xhaferi të nominohet si kandidat për kryeministër në Maqedoninë e Veriut

Talat Xhaferi është vendosur të nominohet si kandidat për kryeministër teknik deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, pas mbledhjes së sotme të Bashkimit Demokratik për Integrim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lajmin e ka konfirmuar Bujar Osmani, duke thënë se BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër.

Xhaferi pritet të marrë drejtimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga muaji janar dhe do të jetë hera e parë në histori që Shkupi zyrtar të drejtohet nga një kryeministër shqiptar.

Sa i përket koalicioneve të mundshme parazgjedhore, Osmani ka thënë se trupat partiake kanë autorizuar kryetari Ali Ahmeti për të vazhduar negociatat dhe t’i propozojë partisë një vendim me të cilin do të shkojë në zgjedhje.

“Ne i kemi analizuar të gjitha opsionet dhe variantet e mundshme për pjesëmarrje, si parti vetëm dhe si pjesë e frontit evropian, dhe kemi autorizuar kryetarin Ali Ahmeti që të vazhdojë bisedimet dhe t’i propozojë partisë një vendim që do të miratohet nga organet e partisë”, ka thënë Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

(Kosova Sot Online)