Abdixhiku: Drafti për Asociacionin është autonomi që çon në federalizim, LDK s’e përkrah

  • S.A /
  • 09 December 2023 - 12:14
Abdixhiku: Drafti për Asociacionin është autonomi që çon në federalizim, LDK s’e përkrah

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur sot edhe për çështjen e dialogut me Serbinë dhe Draftin për themelimin e Asociacionit. Abdixhiku ka thënë se pas konsolidimit të strukturave partiake, LDK-ja do të dalë me vendim, megjithatë ka thënë se në leximin politik, Drafti vjen si një autonomi me rrugëtim potencial për federalizim, transmeton "Kosova Sot Online"..

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mos publikimin e Draftit, pas pranimit të tij, derisa ka thënë se synimin nga ndërmjetësuesit që Drafti të mbetet për lexim e ka marrë si një ofendim të rëndë, meqë LDK është parti shtetformuese dhe bartëse e procesit ndër vite.

“E para, ka të bëjë me procesin e dialogut, dhe draftin e pranuar tashmë të Asociacionit. Sot bëhen saktësisht një javë, që kur Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar zyrtarisht, nga ndërmjetësuesit draftin e statutit të Asociacionit. Pra saktësisht dy muaj pas prezantimit në Kosovë, e mbi 40 ditë pasi i njëjti është pranuar nga Qeveria e Kosovës, ky draft na është dorëzuar si dokument në tërësi”, ka thënë Abdixhiku.

 “Paraprakisht, ka pasur synime nga ndërmjetësuesit që ky draft të jepet vetëm për lexim. E kam konsideruar si ofendim të rëndë, që një parti shtetformuese, bartëse e procesit të dialogut nëpër vite, të jetë vetëm observuese me memorie fotografike e një dokumenti 45 nenësh; dhe të japë mbështetje apriori pa e kuptuar atë. Së këndejmi nuk kam pranuar një qasje të tillë. Kështu nuk vepron Lidhja Demokratike e Kosovës. Këtë mënyrë komunikimi me ne, nuk e lejojmë asnjëherë. Dorëzimi i dokumentit, i ndodhur tashmë, ka qenë gjithnjë forma e vetme e duhur; por gjithsesi është i vonshëm, gjithsesi na vjen pas afatit të dorëzimit të komenteve për të”, ka shtuar tutje.

“Por përtej vendimeve të ndërmjetësuesve, që fundja mbesin zgjedhje e tyre, për LDK-në ka qenë tërësisht shqetësuese mbyllja hermetike e Qeverisë së Kosovës, para dhe pas pranimit të këtij dokumenti. Edhe më ironike bëhet fakti, kur i njëjti ishte tashmë në pronësi të Serbisë dhe gjithë mekanizmit shtetëror atje. Të mbyllësh një dokument para spektrit politik shqiptar në Kosovë, në kohën që një aparat shtetëror serb e kishte atë, është qasje e paprecedentë”, ka theksuar kreu i LDK-së.

“Për dokumentin në fjalë, do të kemi dhe qëndrim politik. Ky Këshill dhe Kryesia e re e Lidhjes Demokratike do të marrë vendim. Por si Kryetar i formacionit të parë dhe të vetëm pavarësist, më lejoni që të shtroj para jush dhe para opinionit publik disa nga vështrimet e para mbi këtë dokument.Për ta thënë thjeshtë, në leximin tim politik, ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim. Nis në preambulë me rezolutën 1244 si paralele e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë; e përfundon me Arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.”, është shprehur Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së ka thënë se mbetet e pakuptimë se si Qeveria e Kosovës e ka pranuar një dokument të tillë që paralelizon deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me rezolutën 1244 dhe që Asociacionin e pranojnë si trup autonomie që mbetet jashtë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës poër në një sistem arbitrazhi.

Abdixhiku ka thënë se mbase një gjë e tillë kuptohet nga vet deklarimet e zyrtarëve të Qeverisë Kurti, se Kosovën e pavarur e sovrane e shohin si të përkohshme.

 “Se si institucionet e Kosovës pranojnë një dokument të tillë, pra që paralelizon deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me rezolutën 1244, në një akt normativ të brendshëm; e se si pranojnë që Asociacionin si trup autonomie, ta mbajnë jo brenda Gjykatës Kushtetuese por në sistem arbitrazhi, kjo për ne mbetet tërësisht e pakuptimtë. Ndoshta përgjigjen mund ta gjejmë tek vet deklarimet e tyre, që Kosovën, Republikë të pavarur e sovrane, e shohin veçse të përkohshme. Por, unë besoj se prapa kësaj fatkeqësie mosbesuese në një shtet që meriton konfrimim sot, qëndron një paaftësi e thellë dhe një apetit për popullizëm destruktiv, që na sjellë gjithnjë në situata edhe më të rënda se parapraket. Dhe situata e tanishme, është më e rënda e mundshme”, ka potencuar kreu i LDK-së, raporton Express.

Abdixhiku ka thënë se LDK nuk mund të mbështes asnjë produkt që del jashtë kornizës së Kushtetutës së republikë ssë Kosovës, jashtë sistemit unitar dhe jashtë rregullimit territorial të Kosovës.

“Në këtë pikë, dua të bëjë të qartë, se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit tonë unitar, e jashtë rregullimit territorial të Kosovës.Këtë qëndrim e kemi shpalosur në çdo paraqitje; përtej këtij qëndrimi nuk mund të kapërcejmë”, ka thënë Abdixhiku.

 Ai ka shtuar tutje se autonomia rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit, marrëveshje për të cilën thotë se LKD-ja ka ngritur shqetësimet e saj me kohë.

“Natyrisht se autonomia na derivon nga Marrëveshja e Ohrit, në atë marrëveshje për të cilën LDK kishte ngritur me kohë shqetësimet e saj. Qëndrimet tona mbi preambulën e kësaj marrëveshje, ku nuk parashihej njohja de jure reciproke, por mosparagjykimi i statusit politik i yni, si dhe në Nenin 7 ku vetëmenaxhimi shihej si e drejtë për një komunitet, kishin nisur bazën e kësaj autonomie.”, ka potencuar ai.

“Pra si përfundim, qeveria popullsite e Kosovës, ka arritur që për dy vite e gjysmë dialogim, të prodhoj një autonomi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht, me potencial të shndërrimit tek një organizim federal, dhe për kthim të mos marr as njohjen reciproke; por që procesin e dialogut ta shndërrojë në proces të vazhdueshëm në gjithë këtë dekadë; deri në një momentum të ri kur sërish duhet të formalizojmë, në një marrëveshje të re me Serbinë, kompromiset tona. Dhe mos të harrojmë, popullizmi i tanishëm, ka arritur që Kosovën ta mbajë të sanksionuar, që autonomia të na shndërrohet kriter integrues euroatlantik, e që sulmi terrorist i 24 shtatorit të mbetet veçse në harresë.

LDK vazhdon t’i mbesë besnike idesë fillestare, se dialogu me Serbinë duhet të bëhet rreth njohjes reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni ndërkombëtar, se ky obligim i yni ndërkombëtar duhet të jetë produkt i vet Kosovës; dhe në këtë produkt as rezoluta 1244, as arbitrazhi e as nënshkrimi i një Presidenti të një shteti fqinj, as më pak i Serbisë nuk ka vend. Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online )