Gogoladze flet për riformulimin e narratives së Kosovës drejt llogaridhënies e transparencës

  • A.P /
  • 10 December 2023 - 11:47
Gogoladze flet për riformulimin e narratives së Kosovës drejt llogaridhënies e transparencës

Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka njoftuar për lansimin e Javës Kundër Korrupsionit sot, në 20-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Maia Gogoladze, drejtore e Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, iu drejtua të pranishmëve dhe theksoi hapat e rëndësishëm të bërë në betejën e vazhdueshme kundër korrupsionit. Ajo, siç njofton USAID-i, tha se ky bashkëpunim i gjatë me institucionet e mbikëqyrjes të prokurimit publik ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendosjen e themeleve për përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies, integritetit dhe transparencës në Kosovë.

“Udhëtimi ynë kolektiv nuk ka të bëjë vetëm me auditimet dhe kornizat ligjore por ka të bëjë me riformulimin e narratives së Kosovës drejt integritetit, llogaridhënies dhe transparencës”,tha Gogoladze.

Ndërkaq, Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme pranë Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të gjatë me USAID-in në aspektin e zhvillimit institucional në përgjithësi dhe në fushën e prokurimit publik në veçanti.

“Pra instalacioni prapa meje i paraqitur nga USAID-i në mënyrë perfekte ilustron rëndësinë e ndikimit pozitiv të projekteve mirë të realizuara, pra pa korrupsion dhe ndikimin negative të projekteve jo mirë të realizuara, pra me korrupsion përmes prokurimit publik”, tha Spanca.

Sipas saj është vitale që të vazhdohen përpjekjet e institucioneve të Kosovës në luftën kundër korrupsionit duke shfaqur llogaridhënie, integritet dhe transparencë në procese të rëndësishme si prokurimi publik.

Po ashtu, Kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Osman Vishaj ka falënderuar mbështetjen e vazhdueshme të Aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave përmes së cilës, sipas tij, KRPP është shndërruar në institucion të rëndësishëm mbikëqyrës të prokurimit publik.

“Përmes zhvillimit të Departamentit të Monitorimit dhe Analizave si dhe hapave të ndërmarra në digjitalizim të prokurimit publik ne së bashku me USAID-in po vazhdojmë rrugën tonë drejt të qenurit institucion llogaridhënës dhe transparentë”, tha Vishaj.

Shënimi i Javës Kundër Korrupsionit synon nxitjen e veprimit kolektiv qytetarë kundër korrupsionit, duke kërkuar në vazhdimësi rezultate konkrete nga qeveria lokale dhe qendrore që prekin pozitivisht jetën e qytetarëve dhe ripërtëritjen e përkushtimit për ndërtimin e një Kosove pa korrupsion.

(Kosova Sot Online)