Lajçak: Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi

  • A.P /
  • 11 December 2023 - 15:42
Lajçak: Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq shumë shpejt do t’i kthehen angazhimit në bisedime për Asociacioni i komunave me shumicë serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

I dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak ka deklaruar se po përgatitet për diskutime të ndara me ta.

“Ditët e fundit kam qenë i zënë në Bruksel, ku së bashku me ekipin tim po përgatiteshim për diskutimet e ndara të ardhshme me kryenegociatorët e të dyja palëve”, shkroi Lajçak në Facebook.

Ai tha se këto ditë ka pasur “një sërë diskutimesh dhe angazhimesh të hollësishme”, duke përmendur diskutimin me anëtarët e Bundestagut gjerman, të cilët tha se i ka njoftuar për “hapat e ardhshëm”.

Lajçak të premtën u takua edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, me të cilin tha se i planifikuan hapat e radhës në dialog.

“Është koha për ta shfrytëzuar mundësinë për ta çuar përpara integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Të premten u takova me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill. Është gjithmonë e dobishme t’i krahasoni shënimet dhe t’i planifikoni hapat e ardhshëm. I jam mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyer mes SHBA-së e BE-së në dialog”, shkroi diplomati europian.

Ditët dhe javët e fundit u bënë disa lëvizje interesante. Më shumë serbë i regjistruan automjetet e tyre me targa të Kosovës, disa nisën t’i ndiqnin hapat për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja në veri dhe të shtunën u arrit marrëveshja për çështjen e rrymës në atë pjesë të vendit.

Mijëra serbë javët e fundit nisën t’i regjistronin veturat me targa RKS. Duke e parë këtë trend, Qeveria e Kosovës në fund të nëntorit vendosi që ta zgjaste për 15 ditë afatin për riregjistrimin e automjeteve.

Sipas përllogaritjeve të sektorit civil serb, në komunat veriore kishte rreth 10,000 vetura me targa KM. Tash, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, muajin e fundit janë riregjistruar në targa RKS 4.000 automjete.
Për lëvizjet e serbëve, përfshirë edhe aplikimin e tyre për pasaporta të Kosovës për ta shfrytëzuar liberalzimin e vizave që nis nga 1 janari, kryeministri Kurti bëri një video speciale në gjuhën serbe falënderoi “të gjithë ata që treguan besim për një Kosovë më të mirë”
Ndërkohë që numri i automjeteve të serbëve me targa RKS u shtua, disa prej tyre vendosën që të ndërmerrnin një iniciativë për zgjedhje të reja në atë pjesë.

Tre muaj pas miratimit të Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve të komunave, një grup qytetarësh serbë më 5 dhjetor nisi ta provonte idenë e zgjedhjeve të reja përmes kësaj mënyre të përgatitur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Lajçak njoftoi të shtunën se kompania kosovare për distribuimin e energjisë elektrike, KEDS, nënshkroi marrëveshje me kompaninë serbe, Elektrosever për rrymën në veri.

“Ky është hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit të Energjisë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në “X”.

Paraprakisht, Lajçak tha gjatë një debati për zgjerimin në Bruksel se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen europiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, deklaroi Lajçak në debatin e organizatës “Miqtë e Europës”. Aty tha gjithashtu se është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin.

Lajçak bëri thirrje të mos humbet koha për zbatimin e obligimeve nga dialogu për të mos e humbur rastin, siç tha ai, për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. E përmendi gjithashtu se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje në BE dhe në SHBA.

Ai bëri thirrje që të mos humbet kohë për implementimin e obligimeve nga dialogu dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. Lajçak shtoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai konsideroi se ka një moment të ri në procesin e zgjerimit. Tash, sipas tij, ky proces është shumë më i favorshëm sesa më parë.

(Kosova Sot Online)