Para gjykatës i akuzuari për vrasjen e djalit të tij refuzon të flasë

  • A.P /
  • 11 December 2023 - 17:29
Para gjykatës i akuzuari për vrasjen e djalit të tij refuzon të flasë

Naim Smajli i akuzuar për vrasjen e djalit të tij E.S., të hënën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës tha se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për t’u deklaruar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Nuk jam në gjendje të jap mbrojtjen time sepse jam duke marr një terapi në burg për kry”, tha Smajli.

Kjo kërkesë është aprovuar nga trupi gjykues me ç’rast seanca u ndërpre për të vazhduar gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm.

Paraprakisht, në këtë seancë prokurorja e rastit Besa Limani heqi dorë nga administrimi i CD- si provë, duke propozuar që në vend të CD-ve të administrohen si prova materiale foto-imazhet e nxjerra nga këto CD lidhur e vendin e ngjarjes.

Sipas prokurores, një propozim i tillë vije pasi që nga IT-ja e Prokurorisë i është thënë se ka probleme teknike me CD-të andaj, edhe nga to kanë arritur të nxjerrin vetëm foto-imazhet kryesor nga vendi i ngjarjes të marrë në ditën kritike.

Një propozim i tillë nuk u kundërshtua nga mbrojtësja e të akuzuarit Smajli, avokatja Teuta Zhinipotoku pasi që sipas saj, në këto foto nuk mund të shihet diçka e qartë lidhur me veprimet e të akuzuarit Smajli.

Tutje, trupi gjykues refuzoi propozimin e avokates Zhinipotoku për ekspertizë të re neuropsikiatrike, me arsyetimin se tashmë në shkresat e lëndës ekziston kjo ekspertizë dhe se ekspertët përpilues të saj janë dëgjuar edhe në shqyrtim gjyqësorë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë me 22 dhjetor të 2022, Naim Smajli rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore lidhur me çështje pronësorë me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin E.S.

I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij tani të ndjerit E.S.

Me këto veprime Smajli akuzohet nga prokuroria për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.(KPRK).

Gjithnjë sipas aktakuzës Naim Smajli nga data e pacaktuar e deri me datën 13 qershor të 2022, ka mbajtur në pronësi armën e llojit “pushkë automatike” në kundërshtim me ligjin, një mjet shpërthyes, granatë dore dhe me posedimin e tyre i akuzuari Smajli ka kryer edhe veprën penale “Mbajte në Pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së, sipas Betimit per drejtesi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)