Avdullah Hoti: Asnjë avancim në prokurimin publik gjatë vitit 2023

  • E.K /
  • 12 December 2023 - 10:30
Avdullah Hoti: Asnjë avancim në prokurimin publik gjatë vitit 2023

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka pasë asnjë avancim në prokurimin publik gjatë vitit 2023, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Përkundrazi, prokurimi publik është karakterizuar me bllokadë në shqyrtimin e lëndëve, tejkalim të afateve ligjore në shqyrtim të lëndëve, diskriminim ndaj operatorëve, ndryshim joligjor të rregullores së punës dhe mungesë transparence në shqyrtimin e ankesave”, ka thënë Hoti.

Ai ka përmendur dhjetë vërejtjet kryesore nga monitorimi i punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit gjatë vitit 2023 janë si në vijim:

Postimi i plotë:

Asnjë avancim në prokurimin publik gjatë vitit 2023.

Përkundrazi, prokurimi publik është karakterizuar me bllokadë në shqyrtimin e lëndëve, tejkalim të afateve ligjore në shqyrtim të lëndëve, diskriminim ndaj operatorëve, ndryshim joligjor të rregullores së punës dhe mungesë transparence në shqyrtimin e ankesave.

Dhjetë vërejtjet kryesore nga monitorimi i punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit gjatë vitit 2023 janë si në vijim:

1. Në OShP janë deponuar 748 ankesa nga operatorët, por vetëm 23% e tyre janë zgjidhur brenda afatit ligjor.

2. Për 116 ankesa, ka skaduar afati ligjor për shqyrtim.

3. Koha mesatare e zgjidhjes së ankesave është rritur nga 55 ditë, sa ka qenë më herët, në 63 ditë për vlerën e lëndëve të ankesave deri në 300,000.00 euro.

4. OShP përdorë standarde të dyfishta të shqyrtimit të ankesave, pasi Bordi kishte vendosur që të mos trajtoheshin ankesat të cilave u kishte skaduar afati ligjor për shqyrtim, ndërkaq sot pjesa dërrmuese e vendimeve janë të nxjerra jashtë afatit ligjor.

5. Për një kohë të caktuar nuk ka funksionuar Bordi i OShP-së, duke dëmtuar të drejtat e operatorëve dhe bllokuar investimet publike.

6. Shoqëria civile e ka të pamundur të monitorojë si duhet aktivitetet e OShP-së.

7. OShP dy herë kishte ndryshuar rregulloren e punës. Fillimisht kishte vendosur që ankesat për kontratat në vlerë deri në 100,000 euro të shqyrtoheshin në panele individuale. Pastaj, ky prag është rritur në 300,000 euro. Në rregulloren e mëparshme të punës së OShP-së, ky prag ka qenë 30,000 euro. Pasi shumica e ankesave i përkasin vlerave deri në 300,000 euro, kjo nënkupton se shumica e ankesave shqyrtohen nga panele individuale.

8. Megjithatë, ndryshimet në rregulloren e punës nuk kanë rezultuar me rritje të efikasitetit të punës së paneleve shqyrtuese.

9. Ndryshimet në rregulloren e punës janë bërë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, pasi ka pasur mungesë të plotë të transparencës dhe nuk janë përfshirë palët e interesuara në këtë proces.

10. Është shfaqur mungesë e koordinimit mes zyrave dhe departamenteve.

(Burimi i të dhënave: Raporti i INPO-s “Shqyrtimi i korrupsionit në prokurimin publik”, i prezantuar në javën kundër korrupsionit).

(Kosova Sot Online)