Krasniqi: Qeveria e kryeministrit Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike

  • A.P /
  • 12 December 2023 - 17:20
Krasniqi: Qeveria e kryeministrit Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike

Sot komunën e Kaçanikut  e ka vizituar kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ku ka theksuar se është viti i katërt që përjashtohet nga ndarja e buxhetit për investime të reja kapitale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Secili qytetar i Kosovës duhet ta dijë se Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike. Është viti i katërt që Komuna e Kaçanikut nuk e merr asnjë cent nga Qeveria qendrore. Është një diskriminim i egër. Është një përjashtim i papranueshëm, sepse qytetarët anembanë Kosovës kanë votuar për parti të ndryshme, por Qeveria e ka për obligim që t’u shërbejë të gjithëve. Ashtu siç po u shërben të gjithëve kryetari Besim Ilazi”, ka thënë Krasniqi.

Më pas, ai ka thënë se katër nga tetë komunat që udhëhiqen nga PDK, nuk kanë marrë asnjë cent nga Qeveria.

“Kjo është e papranueshme. Ky diskriminim duhet të përfundojë, sepse institucionet janë të të gjithë qytetarëve, dhe duhet t’u shërbejnë të gjithëve, pa dallim”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se Kaçaniku prapë është lënë anash.

“Në fakt, sot jemi këtu në një vizitë tek sheshi i qytetit, projekt që investohet kryekëput nga investimet e Komunës, për shkak që siç e kemi potencuar shpeshherë, edhe kësaj radhe, investime nga niveli qendror, është viti i tretë i kësaj qeverisje që nuk kemi. Siç e kemi parë, edhe në vitin e katër të qeverisjes, Komuna e Kaçanikut prapë është lënë anash. Një qeverisje qendrore katër vjeçare që për qytetarët e Kaçanikut ka menduar zero investime”, ka thënë Ilazi.

(Kosova Sot Online)