Sveçla takon shefen e Operacioneve aktuale të NATO-s Ariella Viehe

  • A.P /
  • 12 December 2023 - 18:48
Sveçla takon shefen e Operacioneve aktuale të NATO-s Ariella Viehe

Me shefen e Operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, është takuar sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në këtë takim është diskutuar mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veriun e Kosovës, ku më 24 shkurt kishte një sulm terrorist.

“Sulmet e njëpasnjëshme viteve të fundit ndaj institucioneve tona dhe zyrtarëve tanë në veriun e Kosovës si dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit ishin çështjet e rëndësishme për të cilat biseduam me znj. Viehe, poashtu edhe për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e mirë e të vazhdueshëm mes KFOR dhe Policisë së Kosovës. Me këtë rast, u dakorduam për bashkëpunim të mëtejmë të institucioneve tona dhe misionit të KFOR”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe ambiciet e saj territoriale për Kosovën vazhdojnë të përbëjnë problem serioz për Kosovën por edhe të rajonit. Kosova aspiron rrugën drejt integrimit në NATO dhe në këtë kuptim, do të vazhdojmë përpjekjet tona si partner serioz në garantimin e sigurisë në vend dhe në rajon”, ka thënë ai.


(Kosova Sot Online)