Haxhi Shala sot paraqitet para Speciales

  • E.K /
  • 13 December 2023 - 07:39
Haxhi Shala sot paraqitet para Speciales

Haxhi Shala njëri ndër komandantët e luftës i njohur si ‘Topi”, sot do të paraqitet në seancën e parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

“Paraqitja e parë e Haxhi Shalës është caktuar të mbahet më 13 dhjetor 2023 në orën 14:00 në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë. Paraqitja e parë do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë Gjykatësi i Procedurës Paraprake garanton respektimin e të drejtave të të akuzuarve, përfshirë të drejtën për përfaqësim juridik, dhe se të akuzuarit i kuptojnë akuzat e paraqitura kundër tyre”, njofton Specialja.

Ndryshe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) arrestoi në Kosovë Haxhi Shalën në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim të lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në njoftimin e ZPZ-së thuhet se Shala është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesa të panevojshme.

“Fletarrestimi lidhet me krime kundër administrimit të drejtësisë. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe sipas legjislacionit të Kosovës. Edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative për ZPS-në”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale.

Në njoftim thuhet se pas arrestimit të Haxhi Shalës, Prokurorja e Specializuar Kimbërli UEST (Kimberly WEST) konfirmoi se mbrojtja e dëshmitarëve mbetet një prioritet për ZPS-në.

“Është shumë e rëndësishme që të garantohet që qytetarët e Kosovës të flasin për të thënë të vërtetën dhe pa kërcënime për përvojat e tyre, jo vetëm që ky institucion të jetë i aftë të japë drejtësi por edhe për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha UEST.

“ZPS-ja do të vazhdojë të bëjë çdo gjë brenda fuqive të saj për të mbrojtur viktimat e dëshmitarët dhe për të vënë para përgjegjësisë ata që shkelin ligjet e Kosovës për interesat e tyre private”, tha ajo.

Aktakuza e plotë e Prokurorisë së Specializuar:

Haxhi Shala, përmes kanosjes së rëndë dhe me veprim të përbashkët të një grupi personash në të cilin ka marrë pjesë, ka tentuar të pengojë një person zyrtar, përkatësisht gjyqtar, prokuror, zyrtar të gjykatës, nëpunës të prokurorisë ose një person të autorizuar nga gjykata dhe prokuroria në kryerjen e detyrave zyrtare.

Siç përcaktohet më poshtë, të paktën midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, duke përfshirë Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, u koordinuan si grup para dhe pas afrimeve personale që i bënë dëshmitarit 1 nga Januzi dhe Bahtijari.

Konkretisht, Shala, Januzi dhe Bahtijari u takuan individualisht me Dëshmitarin 1 me qëllim që ta shtynin dëshmitarin 1 të tërhiqte provat ose të mos jepte prova në procedurat zyrtare përpara DhSK.

Kjo sjellje demonstron qëllimin e Shalës për të minuar dhe penguar një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Më pas, pasi thirri dhe verifikoi që dëshmitari 1 ishte në shtëpi, Bahtijari erdhi në shtëpinë e dëshmitarit Bahtijari i tha dëshmitarit 1 se Shala i ishte afruar kohët e fundit dhe e dërgoi për t’i thënë dëshmitarit 1 se ai duhet të tërhiqte dëshminë e tij.

Bahtijari u largua nga shtëpia e dëshmitarit 1 dhe shkoi në një veturë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në ulësen e shoferit.

Si rezultat i kësaj qasjeje, dëshmitari 1 u interesua për sigurinë e familjes së tij.

Më vonë, më 5 prill 2023, pasi Bahtijari kishte vizituar dëshmitarin 1.

Shala dhe Januzi, dhe veçmas Januzi dhe Bahtijari u angazhuan në kontakte të shumta me tekst dhe telefon, përfshirë kontaktet midis Shalës dhe Januzit për të koordinuar një takim personal në të njëjtën mbrëmje.

Në ditët në vijim, Shala dhe Januzi, ndër të tjera, mbetën në kontakt, përfshirë lidhjen me telefon të paktën katër herë midis 6 prillit dhe 9 prillit 2023.

Më 12 prill 2023, pak pasi telefonoi Shala, Januzi shkoi në shtëpinë e dëshmitarit 1.

Në shtëpinë e dëshmitarit 1, Januzi i tha dëshmitarit 1 se Shala i kishte kërkuar Januzit të vazhdonte vizitën e Bahtijarit dhe të zbulonte se çfarë kishte planifikuar të bënte dëshmitari 1 dhe si mund të trajtohej çështja e dëshmisë së tij.

Konkretisht, Januzi i tha dëshmitarit 1 se Shala i kishte kërkuar Januzit që të përcillte mesazhin se nëse Dëshmitari 1 tërhiqte dëshminë e tij, atëherë Shala dhe të tjerë të paidentifikuar do t’i ofronin ‘ndihmë’. Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sillnin 200,000 euro, ata do të kishin një marrëveshje.

15. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi se do të vazhdonte të ishte dëshmitar. JANUZI tha se do t’u tregonte ‘atyre’ atë që kishte thënë dëshmitari 1.

16. Menjëherë pas vizitës së tij më 12 prill 2023 tek dëshmitari 1, Januzi thirri përsëri Shalën

17. Si rezultat i qasjes së dytë, Dëshmitari 1 ishte më tej i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

18. Shala (i) krijoi frikë dhe shqetësime serioze personit, Dëshmitarit 1, i cili ka ose ka të ngjarë t’i ofrojë informacion në lidhje me ndonjë krim ose shkelje që bie nën juridiksionin e DhSK-së, në këtë mënyrë duke tentuar ta dekurajojë fortë atë person që të sigurojë informacione (të mëtejshme) për çfarëdo krimi nën juridiksionin e KSK-së; (ii) kërcënoi aftësinë e DhSK-së/ZPS-së për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet në mënyrë efektive, duke përfshirë marrjen dhe sigurimin e dëshmive përkatëse të dëshmitarëve; dhe (iii) devijoi burimet dhe kohën e ZPS-së për të adresuar pasojat aktuale dhe të mundshme për dëshmitarin 1 dhe familjen e tij në lidhje me procedurat zyrtare të DhSK-së.

Vendimin e Speciales mund ta gjeni në anglisht KËTU.

(Kosova Sot Online)