Arifi del me njoftim: Shaip Kamberi është kukulla e Albin Kurtit

  • A.P /
  • 13 December 2023 - 15:27
Arifi del me njoftim: Shaip Kamberi është kukulla e Albin Kurtit

Lista ime nuk ka aspak përkrahje nga Kosova për zgjedhjet e 17 dhjetorit, ka deklaruar Shqiprim Arifi nga “Alternativa Demokratike Shqiptare-lugina e bashkuar”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Arifi ndër të tjera deklaron se lista e tij është bërë shënjestër e kryeministrit Albin Kurti.

“Lista e Tiranës të cilën unë e përfaqësoj absolutisht nuk ka përkrahje nga Kosova, përkundrazi ka qasje të Kurtit e cila izolon Listën e Tiranës në Preshevë dhe e cila është bërë shënjestër e Kurtit në luftën asimetrike me Tiranën zyrtare, kështu që jo, lista jonë nuk ka përkrahje por çka ka bërë Kurti është që e ka përpilu vet një listë me disa pjesëmarrës të cilët nuk janë as parti politike vetëm me shti një emër aty edhe atë e përkrah por lista e Tiranës nuk përkrahet nga Kurti”, ka pohuar Arifi

I, pyetur se përse ka ndodhur kjo ndasi dhe shqiptarët po garojnë me dy lista, Arifi ka thënë se lista e Shaip Kamberit është listë e Albin Kurti ndërsa Kamberit siç thotë Arifi është kukulla e kryeministrit Kurti.

“Është e vërtetë kemi dy lista, ajo e Tiranës dhe ajo e Kurtit, nuk është e Shaip Kamberit kjo listë por është e Kurtit. Shaip Kamberi është vetëm kukulla e Kurtit në Luginë të Preshevës ashtu siç është edhe Ardita Sinani kukulla e tij në Luginë të Preshevës. Ndasia, rrjedh nga mospajtimi i Kurtit edhe e Prishtinës me Ramën edhe me Tiranën. Ne nuk e kemi lejuar, unë personalisht nuk e kam lejuar që të hyjë në narrativen e Kurtit kundër Tiranës dhe për këtë arsye i kemi dy lista dhe dua ta them një fjali të qartë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, shqiptarët në Luginë janë përçarë nga Albin Kurti.

“Mos të thotë dikush që shqiptarët janë të përçarë në Luginën e Preshevës, jo shqiptarët janë përçarë nga Kurti për shkak të antipatisë që e ka ai ndaj Ramës dhe Tiranës në Luginën e Preshevës”, është shprehur ndër të tjera Arifi.

(Kosova Sot Online)