Palestina mirëpret deklaratën e Bidenit pasi kritikoi Izraelin

  • A.P /
  • 13 December 2023 - 21:07
Palestina mirëpret deklaratën e Bidenit pasi kritikoi Izraelin

Palestina përshëndeti deklaratën e presidentit të SHBA-së, Joe Biden në lidhje me bombardimet pa kriter të Izraelit në Rripin e Gazës dhe kërkoi që këto fjalë të kthehen në vepra, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Palestinës thuhet: “Ministria mirëpret deklaratat dhe qëndrimet e presidentit Biden në lidhje me zgjidhjen me dy shtete dhe kritikat e tij ndaj mentalitetit hakmarrës që synon të gjithë popullin palestinez”.

“Ndërsa Ministria shpreh kënaqësinë e saj me këtë qëndrim, kërkon që këto të shndërrohen në veprime detyruese që do të ringjallin shpresën për paqe dhe do të sigurojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mjete politike”, thuhet në deklaratë.

Presidenti amerikan Biden në një aktivitet ku mori pjesë dje tha se Izraeli filloi të humbasë mbështetjen botërore për shkak të bombardimeve pa dallim në Gaza ndërsa kryeministri izraelit, Netanyahu duhet të ndryshojë qeverinë e tij për një zgjidhje afatgjate.

(Kosova Sot Online)