Publikohen vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

  • A.P /
  • 13 December 2023 - 18:19
Publikohen vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje, ku janë miratuar 43 vendime, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në mesin e vendimeve që janë marrë janë edhe ai për shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, si dhe 40 milionë euro buxhet shtesë për FSK’në.

Më poshtë gjeni të gjitha vendimet:

–           Miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve të Veçanta për Krijimin e Bazës Ligjore për Nxjerrjen e Akteve Nënligjore nga Qeveria dhe Ministrat. Projektligji që kemi përpara, i hap rrugë garantimit të parimit të ligjshmërisë së akteve nënligjore, në kuptimin e ndalimit të veprimit arbitrar të të gjitha organeve, të cilat mund të intervenojnë në marrëdhëniet ndërmjet subjekteve të së drejtës vetëm në bazë të autorizimeve të fituara me ligj. Kjo derivon edhe nga Lista e Kontrollit të Sundimit të Ligjit, e nxjerrë nga Komisioni i Venecias, ku në mënyrë shprehimore përcaktohet obligimi i institucioneve për të vepruar në pajtueshmëri strikte me kompetencat e përcaktuara me ligj.

–           Miratuar projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat. Ky Program i BE-së, synon të mbështesë dhe zhvillojë shoqëri të hapura, të barabarta dhe gjithëpërfshirëse të bazuara në të drejta dhe në shtetin e së drejtës.

–           Miratuar projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, e përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike për Projektin e “Qëndrueshmërisë Klimatike në Sektorin e Ujërave në Kosovë”. Ky projekt do të forcojë kapacitetet e akterëve kombëtar dhe kompanive rajonale të ujit, për të nxitur një mjedis të përshtatshëm ndaj ndryshimeve klimatike në ofrimin e shërbimeve të ujit. Gjithashtu promovon reduktimin e ujit të pa faturuar, kontribuon në efikasitetin e energjisë dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme.

–           Miratuar projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës, dhe KFË Frankfurt Am Main, për Programin e Energjisë Solare I.  Në linjë me tranzicionin e gjelbër energjetik, marrëveshja mes Qeverisë sonë e Bankës Gjermane për Zhvillim përfshin ndërtimin e një impianti diellor me kapacitet të instaluar deri në 100 MË dhe rreth 152 GËh prodhim në vit. Para instalimit të tij, rreth 150 hektarë të ish-deponisë së hirit në afërsi të termocentralit të Kosovës do të revitalizohen.

–           Miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Noterinë. Ai adreson çështje të sistemit të noterisë lidhur me kushtet për ushtrimin e detyrës së noterit, kushtet e organizimit të provimit për noterinë, por edhe forcimin e sistemit disiplinor.  Këto ndryshime, rregullojnë aspekte të ofrimit të shërbimeve noteriale në formë elektronike, gjë që ua lehtëson qasjen në këto shërbime qytetarëve dhe rritë efikasitetin e punës së noterëve.

–           Miratuar Projektligjin për Sport. Përmes reformës në sistemin e sportit, ky projektligji synon krijimin e mundësive më të mira për pjesëmarrje në aktivitete fizike dhe sport, të kontribuojë në eliminimin e pabarazive dhe diskriminimit në bazë gjinore, racore e etnike, si dhe vë në qendër mjedisin e sigurt, i cili promovon shëndetin dhe mirëqenien e sportistëve.

–           Miratuar projektligjin për Rrugët.

–           Miratuar projektligjin për Kontrollin e Kufirit Shtetëror, i cili ka për qëllim të përcaktojë rregullat për kontrollin e kufirit shtetëror dhe kompetencat e autorizimet e Policisë lidhur me kontrollin e kufirit.

–           Projektligji për Shërbimet Private të Sigurisë, përmes së cilit mënyrë specifike do të përcaktohen rregullat lidhur me aktivitetet që lidhen me sigurinë private, duke përfshirë mbrojtjen e personave, objekteve dhe hapësirave të caktuara.

–           Aprovuar rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Procedurat e Komisioneve të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

–           Aprovuar rregulloren për Rregullat dhe Procedurat rreth Administrimit të Pronave dhe Zbatimit të Skemës Vullnetare të Qirasë të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Hartimi i kësaj Projekt-rregulloreje ka të bëjë me administrimin e pronave dhe përmbushjen e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, i cili i referohet mbrojtjes së të drejtave pronësore sipas Kushtetutës së Kosovës dhe instrumenteve evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

–           Aprovuar rregulloren për Procedurat e Trajtimit të Informalitetit nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e procedurave, njoftimit dhe informimit të palëve lidhur me njohjen ligjore të të drejtave joformale pronësore. Objektivi kryesor i hartimit të kësaj projekt-rregulloreje është njohja formale e të drejtave pronësore, të fituara para datës 24 mars 1999, si rezultat i një transaksioni joformal, problem ky që rëndon shumë qytetarë të Republikës së Kosovës.

–           Aprovuar rregulloren për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Organizimin e Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Kjo Projekt-rregullore përfshinë edhe pranimin, regjistrimin dhe krahasimin e dokumenteve kadastrale origjinale të skanuara para qershorit të vitit 1999. Pra, dokumenteve që janë marrë nga Kosova nga autoritetet serbe.

–           Aprovuar rregulloren për Detyrat dhe Përgjegjësitë e Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike. Kjo Rregullore zbatohet nga MM/FSK dhe vlen edhe për institucionet tjera të RKS-së, të identifikuara si audiencë pjesëmarrëse në trajnime si dhe operatorët e shërbimeve esenciale dhe ofruesit e shërbimeve digjitale.

–           Aprovuar udhëzimin Administrativ për Përcaktimin e Procedurave për Shkatërrimin e Strukturave të Paligjshme. Ky  Udhëzim Administrativ, në zbatim të Ligjit për Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, qartëson procedurat lidhur me kthimin e të drejtës pronësore përmes shkatërrimit të strukturave të paligjshme, si mjet i zbatuar nga Agjencia e në shërbim të zbatimit të aktgjykimeve të Gjykatës Supreme.

–           Shqyrtuar raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Ndërtim.

–           Emëruar Fortuna Haxhikadrija, Faton Osmanin dhe Armend Behlulin anëtarë të Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU Gjakova, Sh. A.

–           Miratuar vendimin për obligimin e Sekretarit të Përgjithshëm të ZKM-së për hapjen e Konkursit për Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Me këtë vendim, Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit obligohet që brenda shtatë ditëve të publikojë shpalljen e konkursit për Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

–           Miratuar Kornizën e Treguesve për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, si pjesë thelbësore e Programit për të Drejtat e Njeriut. Përmes këtyre treguesve, do vlerësojmë përputhshmërinë e kritereve me ato të Bashkimit Evropian e Këshillin e Evropës, dhe do mundësojmë harmonizimin me standardet evropiane e ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut. Kjo kornizë e treguesve, shërben edhe për të përditësuar e përmirësuar sistemet kombëtare të mbikëqyrjes së zbatimit të të drejtave të njeriut.

–           Ndryshuar dhe plotësuar Planin Kombëtar të Veprimit 2023-2025 në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur. Pas anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare Partneriteti për Qeverisje të Hapur (Open Government Partnership – OGP), kërkohet edhe plotësimi dhe ndryshimi i Planit të Veprimit.

–           Themelimi i Mekanizmit të Paralajmërimit të Hershëm për Monitorimin e Trendëve të Migrimit. Ky mekanizëm ndërinstitucional ka për qëllim të monitorojë trendët e lëvizjeve të migrimit pas liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian; të mbledhë e analizojë të dhëna lidhur me lëvizjen e shtetasve të Republikës së Kosovës në shtetet e zonës Shengen; si dhe të rekomandojë ndërmarrjen e masave për institucionet relevante me qëllim të menaxhimit të suksesshëm të procesit. Ai funksionon si mekanizëm në kuadër të Autoritetit Qeveritar për Migracion (AQM).

–           Ndarë 6,103,590.00 euro për zbatimin e Masës 2.2 – Mbështetje bizneseve për qasje në financa të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

–           Ndarë 4 milionë euro për ofrimin e ndihmës për rimëkëmbje nga fatkeqësia natyrore/vërshimet e ndodhura në Republikën e Kosovës në muajin shtator 2022 dhe janar 2023 në komunat e Republikës së Kosovës.

–           Ndarë 5 milionë euro për zbatimin e Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike të Pakos për Ringjallje Ekonomike tek Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për zbatim e projekteve të cilat janë paraparë për vitin 2023 dhe 2024.

–           Aprovuar lartësinë e shumës së pensioneve kontributpaguese parciale sipas formulës si në vijim: Vlera e pensionit bazik të moshës plus koeficienti vjetor shumëzuar me numrin e viteve të plota të kontributeve.

–           Ndarë për 36,203,700.00 euro për pensionet kontributdhënëse, pagesat për lehona dhe shtesat për fëmijë, pagesën e obligimeve të mbetura për subvencione në bujqësi, si dhe pagesën e obligimeve të mbetura për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

–           Miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Zëvendëskryeministrit të parë, për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, për nënshkrimin e “Amandamentimit Nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2015”. Qëllimi i amendamentimit të kësaj marrëveshje është që të mundësohet shtyrja e afatit të parashikuar për zbatimin e projekteve të kësaj marrëveshjeje për dy vite shtesë.

–           Miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministres së Drejtësisë, për nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës për pjesëmarrjen në programin Drejtësia. Me këtë marrëveshje do të sigurohen fonde dhe projekte për Kosovën me qëllim të mbështetjes së bashkëpunimit gjyqësor në çështjet civile dhe penale, bashkëpunimit me anë të teknologjisë informative në drejtësi, trajnime për gjyqtarët dhe praktikuesit e tjerë ligjorë, si dhe qasje efektive në drejtësi për qytetarët e bizneset.

–           Aprovuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondit Saudit për Zhvillim për Projektin e Magjistrales Prishtinë-Mitrovicë. Ky projekt do të mundësojë lidhjen e kryeqytetit me qytetin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës përmes ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugës së dytë kryesore, duke e shndërruara atë në magjistrale me nga dy korsi në secilën anë.

–           Aprovimin i nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëprodhimit të Filmit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë. Kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë për industrinë e filmit të dy vendeve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë, dhe do të kontribuojë në rritjen ekonomike të industrisë së prodhimit dhe shpërndarjes së filmit, televizionit, videove dhe mediumeve të reja në të dy vendet.

–           Shpronësuar për interes publik të pronën e paluajtshme ish shoqërore “Sharrprodhimi” për realizimin e Projektit: “Ndërtimi i Zonës së Gjelbër – Parkut Publik për nevoja të Komunitetit”, zona Kadastrale; Bresanë, Komuna Dragash.

–           Shpronësuar për interes publik pronat e paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: “Programi për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta II-IV”.

–           Shpronësuar për interes publik pronën e paluajtshme ish shoqërore N. Sh. “Progres” e cila është e nevojshme për realizimin e Projektit: ” Varrezat e Qytetit të Prizrenit.

–           Shpronësuar për interes publik pronat e paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Mbrojtja dhe Menaxhimi i Trashëgimisë Kulturore, Konservimi dhe Investimi në “Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut” pjesë e trashëgimisë në mbrojtje të përhershme, Zona Kadastrale Dresnik, Komuna e Klinës.

–           Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin Përfundimtar Nr.05/160 të datës 15 shtator 2023 për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Renovimi dhe Rikonfigurimi i Stadiumit Olimpik ” Adem Jashari” Zona Kadastrale në Mitrovicë. Ky plotësim ndryshim është bërë me qëllim të realizimit të pagesës së pronave nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

–           Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin Përfundimtar Nr.11/162 të datës 27 shtator 2023 për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Kompleksit Sportiv “Qendra Nacionale e Xhudos” në Pejë.

–           Plotësuar dhe ndryshuar Rregulloren për shtesat e të punësuarve në sektorin e shëndetësisë.

–           Ndarë 46,110.00 euro për Radio Televizionin e Kosovës, të cilat do të shërbejnë për mbulimin e shpenzimeve nga organizimi i koncertit “Rrno për me tregue”.

–           Ndarë buxhet shtesë prej 40 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtës, duke e rritur kështu buxhetin e përgjithshëm për mbrojte në mbi 200 milionë euro apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor.  Po ashtu ka ndarë 12 milionë euro për sektorin e bujqësisë, dhe 1.8 milionë euro tjera për KRU Gjakovën me qëllim funksionalizimin e rrjetit të ujësjellësit në Mamushë dhe fshatra përreth.

–           Themeluar Grupin punues ndërinstitucional për parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Ky grup punues që do të merret me parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme, dhe me këtë dëshmojmë përkushtimin tonë që çdo vajzë – dhe çdo fëmijë – në Kosovë do të ketë të drejtat e veta dhe se ne punojmë kundër çdo forme të dhunës në baza gjinore, sot dhe çdo ditë tjetër.

–           Miratuar vendimin për ndarjen e shtesës së njëhershme prej 100 euro për të gjithë fëmijët që aktualisht marrin shtesa të fëmijëve në kuadër të skemës ekzistuese sipas muajit dhjetor të këtij viti. Për këtë shtesë nuk ka nevojë që të aplikohet. Mjetet do të kalojnë në llogarinë e prindërve, kryesisht nënave të cilat janë përfituese të shtesave të rregullta. Për ekzekutimin e tyre do ketë njoftim të veçantë nga Ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve.

–           Miratuar vendimin për shtesën e njëhershme prej 100 euro për të gjithë përfituesit e skemave pensionale për muajin dhjetor. Shtesat do të ekzekutohen pasi që të jenë ekzekutuar pensionet e rregullta.

(Kosova Sot Online)