Brukseli del me një deklaratë nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Kosova e Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet

  • A.P /
  • 13 December 2023 - 22:31
Brukseli del me një deklaratë  nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Kosova e Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet

Nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Brukseli ka dalë me një deklaratë të gjatë në të cilën theksohet se udhëheqësit e BE-së dhe shtetet anëtare, presin progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve të arritura, dhe vazhdimin e përpjekjeve për uljen e tensioneve mes dy vendeve, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Brukseli kërkon nga dy vendet që “të mos ndërmarrin veprime të njëanshme e të pakoordinuara që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë të mëtejshme si dhe të mos përdorin retorikë që nuk favorizon normalizim të marrëdhënieve”.

“Ne vazhdojmë të mbështetim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës si dhe për çështjet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ne presim angazhim konstruktiv nga të dyja Palët në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të bërë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është kritike për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që Palët të mund të përparojnë në rrugëtimet përkatëse evropiane”, thuhet në deklaratën e Brukselit.

“Ne nxitim Palët të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për Rrugëtimin drejt Normalizimit dhe Shtojcën e saj Zbatuese si dhe të gjitha Marrëveshjet e mëparshme, pa vonesa ose parakushte të mëtejshme. Ne gjithashtu presim që Palët të vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për ulje të tensionit sipas kërkesave të BE-së dhe që ato të mos ndërmarrin veprime të njëanshme e të pakoordinuara që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë të mëtejshme si dhe të mos përdorin retorikë që nuk favorizon normalizim të marrëdhënieve”, vijon komunikata.

(Kosova Sot Online)