O’Brien: Qeveria e re e Serbisë të respektojë marrëveshjet e arritura me Kosovën

  • A.P /
  • 14 December 2023 - 20:21
O’Brien: Qeveria e re e Serbisë të respektojë marrëveshjet e arritura me Kosovën

Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, pret që qeveria e re e Serbisë që do dalë nga zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit, të respektojë marrëveshjet e arritura me Kosovën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

O’Brien thotë se e ardhmja e rajonit është futja e dy vendeve në tregun e përbashkët evropian dhe anëtarësimi në BE.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ishte pjesë e deklaratës së djeshme të takimit të lartë të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Qeveria e Serbisë i ka dërguar një letër BE-së, ku shprehet se deklarata është politike dhe jo e detyrueshme, duke këmbëngulur në qëndrimin e saj kundër çdo lloj njohje të Kosovës, “de facto”, apo “de-jure”.

O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara do të përcjellin me vëmendje mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe shprehu besimin se ato do të jenë të lira dhe të drejta.

“Populli serb mund të votojë për kë të dojë. Ajo që ne presim nga qeveria është që t’u përmbahet marrëveshjeve që ka arritur sa i përket Kosovës”, tha O’Brien.

(Kosova Sot Online)