Begaj thirrje shqiptarëve të Luginës për dalje masive në zgjedhjet në Serbi

  • E.K /
  • 16 December 2023 - 11:56
Begaj thirrje shqiptarëve të Luginës për dalje masive në zgjedhjet në Serbi

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dalë me thirrje për shqiptarët e Luginës së Preshevës një ditë para zgjedhjeve në Serbi, përcjell “Kosova Sot Online”.

Begaj ka shkruar se zgjedhjet janë një moment shumë i rëndësishëm për përfaqësimin politik dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve atje.

“Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc! Zgjedhjet e ditës së nesërme janë një moment shumë i rëndësishëm për përfaqësimin tuaj politik dhe mbrojtjen e të drejtave tuaja. Vetëm përmes pjesëmarrjes masive dhe zgjedhjes së kandidatëve tuaj mund ta arrini këtë. Duke shpresuar në një proces sa më demokratik, ju inkurajoj të merrni pjesë në votime e të zgjidhni kandidatët tuaj të preferuar që do t’ju përfaqësojnë në Parlamentin e ardhshëm”, ka shkruar Begaj.

Thirrje të njejtë ka pasur edhe kreu i diplomacisë shqiptare, Igli Hasani. Kryediplomati shqiptar ka ftuar shqiptarët atje që t’i lënë interesat politike anash dhe të kenë unitet.

(Kosova Sot Online)