Prokuroria del me njoftim për vrasjen në Gjilan

  • A.P /
  • 17 December 2023 - 10:17
Prokuroria del me njoftim për vrasjen në Gjilan

Për vrasjen e djeshme në fshatin Dobërçan të Gjilanit, Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalë me njoftim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Prokuroria ka thënë se “dyshohet se më 16 Dhjetor 2023, rreth orës 21:00, në fshatin Dobërçan, komuna Gjilan, i dyshuari D.T., e ka privuar nga jeta viktimën A.B., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit”.

Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Poashtu, në njoftim thuhet se prokurori i shtetit brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarit do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata kompetente në Gjilan.

Për rastin edhe Policia ka lëshuar raport.

“VRASJE- Gjilan 16.12.2023-21:00.  Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që i njëjti dyshohet se me një mjet të mprehtë-thikë ka goditur viktimën mashkull kosovar, të cilit i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Viktima është dërguar në QE-Gjilan, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar.”

(Kosova Sot Online)