Ja kush bën thirrje për të kufizuar fushatën ushtarake në Gazë

  • A.P /
  • 18 December 2023 - 16:26
Ja kush bën thirrje për të kufizuar fushatën ushtarake në Gazë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin mbërriti të hënën në Tel Aviv për t’i bërë thirrje qeverisë izraelite të kalojë nga operacionet e mëdha luftarake kundër Hamasit në Gazë në një fushatë më të kufizuar dhe për të parandaluar një luftë më të gjerë rajonale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Shtetet e Bashkuara do të përpiqen ta përdorin ndikimin e tyre falë mbështetjes së palëkundur për ofensivën, për të bindur Izraelin që të zbusë ndikimin e saj shkatërrues ndaj civilëve palestinezë.

Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania – disa nga aleatët më të afërt të Izraelit – iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës dhe protestuesit izraelitë kanë kërkuar nga qeveria që të rifillojë bisedimet me Hamasin për lirimin e më shumë pengjeve pasi tre prej tyre u vranë gabimisht nga trupat izraelite ndërsa valëvisnin një flamur të bardhë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa të rrëzojë Hamasin nga pushteti, të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake dhe të kthejë dhjetëra pengjet.

Udhëtimi i Sekretarit Austin vjen pasi militantët e mbështetur nga Irani ndërmorën të shtunën një valë sulmesh me dronë kundër anijeve në Detin e Kuq dhe thanë se do të vazhdojnë derisa të përfundojë “agresioni” i Izraelit.

SHBA-ja ka vënë veton ndaj thirrjeve për një armëpushim në OKB dhe i ka dërguar municione Izraelit, duke i kërkuar njëkohësisht që të ndërmarrë më shumë masa për të shmangur dëmin ndaj civilëve.

Lufta që zgjat prej 10 javësh ka shkaktuar vdekjen e mbi 18,700 palestinezëve. Rreth 1.9 milionë palestinezë – gati 85% e popullsisë së Gazës – janë larguar nga shtëpitë e tyre. Shumica janë grumbulluar në strehime dhe kampe tendash të OKB-së në pjesën jugore të territorit të rrethuar.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë thirrje për operacione me objektiva të përcaktuara që vënë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit, shkatërrimin e tuneleve dhe shpëtimin e pengjeve.

Këto thirrje erdhën pasi Presidenti Joe Biden paralajmëroi se Izraeli po humbet mbështetjen ndërkombëtare për shkak të “bombardimeve pa dallim”.

Por ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha javën e kaluar se vendi i tij do të vazhdojë operacionet e mëdha luftarake kundër Hamasit për disa muaj të tjerë.

Në këtë kontekst, disa ligjvënës amerikanë i kërkuan Izraelit të mbrojë civilët ndërsa vazhdon luftën e tij kundër Hamasit.

“Gjashtë deri në tetë mijë fëmijë janë vrarë, 85% banorëve në Gazë u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. Ata po jetojnë në strehime, sëmundjet (po) përhapen”, tha ligjvënësja demokrate, Debbie Dingell në një intervistë për televizionin NBC.

Senatori republikan Lindsey Graham, i intervistuar në NBC, shprehu gjithashtu shpresën që Izraeli të kufizojë vdekjet e civilëve, duke i bërë thirrje të mendojë për të ardhmen.

“Arabia Saudite dhe vendet e tjera arabe nuk mund të normalizojnë (lidhjet) me Izraelin, nëse kjo krijon përshtypjen se po i braktisin palestinezët”, tha ai.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet gjithashtu me kritika në rritje brenda vendit për krizën e pengjeve që filloi më 7 tetor kur Hamasi kreu sulmin terrorist vdekjeprurës dhe rrëmbeu më shumë se 240 vetë.

Javën e kaluar, tre nga pengjet u vranë gabimisht nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

Të afërmit e pengjeve të tjerë po i kërkojnë Izraelit të negociojë për të siguruar lirimin e tyre.

“Ne duam që ata të dalin të gjallë. Kjo është arsyeja pse jemi këtu, çdo ditë, derisa të dëgjojmë nga qeveria se ata janë ulur për të negociuar”, thotë Sharon Kalderon, kunata e njërit prej pengjeve, Ofer Kalderon.

Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë pengje të tjera para se të ndalet ofensiva izraelite, por Katari që ka shërbyer si ndërmjetës në konflikt, nuk po heq dorë nga përpjekjet diplomatike për të ripërtërirë një pauzë humanitare.

Deri tani, nën presionin e SHBA-së, Izraeli i ka bërë udhëzimet e evakuimit më të qarta ndërsa trupat hapën front edhe në qytetin jugor Khan Younis në fillim të këtij muaji, megjithëse palestinezët thonë se asnjë vend në Gazë nuk është i sigurt pasi Izraeli vazhdon të kryejë sulme në të gjithë territorin.

Izraeli ka rihapur vendkalimin e tij kryesor të mallrave me Gazën për të lejuar hyrjen e më shumë ndihmave pas një kërkese nga SHBA-ja, megjithatë sasia e mallrave është ende më pak se gjysma e importeve të paraluftës, edhe pse nevojat janë rritur dhe luftimet pengojnë dërgimin e tyre në shumë zona.

(Kosova Sot Online)