Murati tregon a ju është ndalur pagesa për subvencionimin e rrymës kategoritë të dala nga lufta

  • A.P /
  • 19 December 2023 - 13:52
Murati tregon a ju është ndalur pagesa për subvencionimin e rrymës kategoritë të dala nga lufta

Se Qeveria i ka përjashtuar nga subvencionimi i energjisë elektrike kategoritë e dala nga lufta, e ka mohuar ministri i Financave, Hekuran Murati, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Murati tha se gjatë gjithë kohës kanë lëshuar komunikata me sqarime, teksa mohoi se ka pasur përjashtime të ndonjë prej kategorive nga ky subvencionim.

“Lajmet e rreme nuk kalojnë!  Është e pavërtetë që Qeveria ka përjashtuar ndonjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike.   Përkundrazi, me programin e ri synimi është që të zgjerohet lista e familjeve që mbështeten, si dhe subvencionimi të jetë në bazë të të ardhurave, pra sa më pak të ardhura, aq më i lartë subvencionimi. Programi i ri është në fazën e pilotimit, dhe kemi paraparë edhe një fazë/grup aplikimesh ku pritet të trajtohen sfidat që kemi hasur gjatë fazës/grupit të parë.  Si Ministri, kemi lëshuar komunikata me sqarimet e nevojshme, por, se sa u është dhënë jehonë nga disa prej mediave, është për t’u diskutuar. Pikërisht për këtë e kishte fjalën Kryeministri para ca ditësh kur tha se masat dhe veprimet e Qeverisë nuk po përçohen si informata tek qytetarët nga disa media.  Një tjetër argument i thënë në këtë lajm e që nuk qëndron ishte se invalidët e luftës përjashtohen me automatizëm sepse pensioni i tyre është së paku 225 euro, dhe kësisoj e tejkalojnë nivelin e përcaktuar prej 150 euro për kualifikim”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

(Kosova Sot Online)