Trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë

  • E.K /
  • 20 December 2023 - 11:52
Trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë

Një organizatë e fuqishme që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë është goditur si pasojë e hetimeve të bashkërenduara mes SPAK, Eurojust dhe Antimafias italiane që nisën në vitin 2017, transmeton "Kosova Sot Online".

Ditën e sotme, pas vendimit të miratuar nga Gjykata e Lartë, janë lëshuar 19 urdhër-arreste të tjera, ndërkohë që disa prej të arrestuarve në Itali në vitin 2020, janë dënuar përfundimisht deri në 11 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.

Grupi i përbërë nga trafikantë shqiptarë dhe italianë vepronte në zonën e Barit, por kishte degë edhe në Pulia dhe Bazilikatë.

Mediat italiane, shkruajnë se më herët, në një operacion të bërë ndaj kësaj organizate kriminale, u arrestuan 27 persona dhe u sekuestrua lënda narkotike prej 3.3 ton drogë e llojit marihuanë, kokainë dhe heroinë.

Masat u ndërmorën në kuadër të operacionit të koduar “Kulmi”, i kryer në bashkëpunim mes drejtorisë së antimafias italiane, SPAK dhe Eurojust, të cilat bënë të mundur çmontimin e një organizate të fuqishme kriminale transnacionale të trafikantëve të drogës që vepronte kryesisht në zonën e Barit.

Ky operacion në 30 qershor 2020, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, bëri të mundur sekuestrimin e 40 mln eurove droge, 4 milion euro asete si prona, automjete, para kesh dhe arrestimin e 37 persona.

(Kosova Sot Online)