Raportohet për bisedime për një armëpushim tjetër në Gazë

  • A.P /
  • 20 December 2023 - 16:17
Raportohet për bisedime për një armëpushim tjetër në Gazë

Lideri kryesor i Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – udhëtoi drejt Kajros të mërkurën për bisedime rreth luftës në Gazë, si pjesë e një diplomacie për ta siguruar një armëpushim tjetër dhe një këmbim të pengjeve, në një kohë kur pjesëtarët e grupit radikal po i bëjnë rezistencë të fortë ofensivës së Izraelit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ismail Haniyeh shkoi në Egjipt një ditë pasi Hamasi shkrepi raketa të cilat bënë që të binin sirenat e alarmeve për sulme ajrore në mes të Izraelit, si shenjë force gjatë luftës disa javore tashme, e cila e ka shkatërruar shumicën e veriut të Gazës, si dhe i ka vrarë gati 20.000 palestinezë dhe i ka detyruar rreth 1.9 milion të tjerë – apo 85 për qind të popullsisë- të ikin nga shtëpitë e veta.

Izraeli u ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera të botës ta fusin Hamasin në listën e organizatave terroriste, duke thënë se ky grup duhet të çrrënjoset pas sulmit që e kreu më 7 tetor në jug të Izraelit, ku i vrau mbi 1.200 njerëz.

Por, palët kanë rinisur së fundmi bisedime indirekte, të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, me qëllim për të arritur marrëveshje për një armëpushim tjetër dhe lirimin e më shumë pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Ende ka dallime të theksuara në bisedimet për pengjet

Megjithëse veprimtaria e zyrtarëve të lartë është rritur së fundmi, dy palët duket të jenë ende larg ndonjë marrëveshjeje për pengjet.

Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë më pengje pa përfunduar lufta, dhe pritet të ngulë këmbë në lirimin e një numri të madh të të burgosurve palestinezë, përfshirë militantë të rangut të lartë, në këmbim të pengjeve që po i mban rob.

Izraeli i ka hedhur poshtë këto kërkesa deri tani.

Egjipti, bashkë me Katarin, ndihmuan në ndërmjetësimin e një armëpushimi njëjavor në nëntor, gjatë të cilit Hamasi i liroi mbi 100 pengje në këmbim të lirimit të 240 të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Hamasi dhe militantët e tjerë janë duke i mbajtur rob edhe 129 persona të tjerë.

Hamasi tha se Haniyeh – i cili besohet se qëndron në Katar por lëvizjet e të cilit publikohen shumë rrallë – do të bisedojë me zyrtarë egjiptianë për luftën, pa dhënë hollësi të tjera.

Ziad Nakhaleh, lideri i një grupi më të vogël militant palestinez, Xhihadi Palestinez Islamik, i cili mori pjesë në sulmit e 7 tetorit dhe po mban pengje po ashtu, tha se është ftuar në Egjipt për bisedime dhe se do të udhëtojë atje në ditët në vijim.

Egjipti, i cili kufizohet me Gazën, është tejet i shqetësuar se mund të përballet me refugjatë palestinezë, duke u druajtur se Izraeli nuk do t’i lejojë ata të kthehet në Gazë.


(Kosova Sot Online)