Aparaturat për diagnostikim ose nuk punojnë, ose nuk shfrytëzohen

  • S.A /
  • 21 December 2023 - 12:35
Aparaturat për diagnostikim ose nuk punojnë, ose nuk shfrytëzohen

Në disa klinika, pacientët duhet të enden për shkak të prishjes së aparaturave; në disa të tjera, aparaturat janë moderne dhe funksionale, por nuk ka kush të operojë me to. Kjo situatë vihet re në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë – çdo ditë e mbingarkuar me pacientë që presin të marrin shërbime, transmeton "Kosova Sot Online".

Avdyl Berisha ishte udhëzuar nga ambulanca e fshatit të tij, Sllatinë – komuna e Fushë Kosovës – të bënte një rëntgen në QKUK, pasi kishte dyshime për ndrydhje të kockave.

Fillimisht u drejtua në ambulancën specialistike të Ortopedisë, ku iu tha se rëntgeni nuk punon. U end pastaj edhe nëpër disa ambulanca të tjera, derisa përfundoi në Klinikën Emergjente.

“E kam bërë në Emergjencë, por nuk po duket mirë. Tri herë kam ardhur këtu… jo hyr në bodrum, jo dil atje…”, tha Berisha shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë.

QKUK-ja ka 22 ambulanca specialistike me vetëm një rëntgen.

Kjo pajisje – që u shërben mjekëve për të parë dhe vlerësuar kockat e thyera, por edhe për të diagnostikuar probleme të tjera në trupin e njeriut – nuk punon aty për më shumë se dy muaj.

Se kur do të kthehet në funksion, nuk është e qartë.

“Pas verifikimit të prishjeve, drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) i ka marrë të gjitha masat dhe ka hapur procedurat e tenderimit që aparaturat të rregullohen”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza, pa dhënë ndonjë informacion më konkret.

Klinika që udhëheq ajo, është përgjegjëse për aparaturat që funksionojnë me rreze brenda QKUK-së.

E, rëntgeni i ambulancave specialistike nuk është i vetmi që nuk punon. Në Klinikën e Neurologjisë, për më shumë se tre muaj, nuk është duke punuar as CT-ja, apo aparatura për skanim të trupit.

CT-ja shërben për të identifikuar sëmundje të ndryshme brenda trupit të njeriut, përfshirë edhe tumoret.

Drejtori i Neurologjisë, Edmond Komoni, thotë se mosfunksionimi i saj po u shkakton vështirësi si pacientëve, ashtu edhe punonjësve.

“Meqenëse rastet janë të rënda te Klinika e Neurologjisë, pacientët lëvizin me vështirësi… Ne mundohemi t’i kompensojmë… shfrytëzojmë tompografitë e kompjuterizuara, të cilat gjenden tek Emergjenca ose tek objekti i Onkologjisë, por për shkak se pacientët duhet të barten… kjo na merr shumë kohë dhe na e vështirëson punën”, thotë Komoni për Radion Evropa e Lirë.

As për këtë aparaturë, askush prej mjekëve apo stafit tjetër nuk ofron informacion të saktë se kur do të kthehet në funksion, derisa disa metra më larg, në Klinikën e Pediatrisë, qëndron aparatura MRI, e cila është funksionale vetëm deri në orën 13:00 – pas kësaj kohe nuk ka mjekë për të operuar me të.

Aparatura për imazhe me rezonancë magnetike, e njohur si MRI, është më e kushtueshme se CT-ja dhe përdoret për zbulimin e sëmundjeve, diagnostikimin dhe monitorimin e trajtimit.

Me të operojnë radiologët, 28 sish në QKUK, por tash për tash nuk ka orar për ndërrimin e dytë.

Udhëheqës të QKUK-së konfirmojnë për REL-in se kanë kërkuar nga Klinika e Radiologjisë që ta shqyrtojë zgjatjen e orarit të punës me MRI, por se vendimi është ende në shqyrtim e sipër.

Për arsye të tjera, në Klinikën e Urologjisë nuk shfrytëzohet gati fare laparaskopi, i cili ndihmon në diagnostikimin e një game të gjerë sëmundjesh, sidomos në abdomen, por edhe për të kryer procedura kirurgjikale.

“Janë kryer disa raste – cista të veshkës, ndërsa operime të tjera nuk janë bërë me laparaskop… Për të vazhduar me operacione të tjera laparoskopike, duhen trajnime në vazhdimësi. Shpresoj që, vitin që vjen, në bashkëpunim me SHSKUK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë, t’i dërgojmë kolegët për trajnime laparoskopie”, thotë drejtori i Urologjisë, Petrit Nuraj, për Radion Evropa e Lirë.

Në Kirurgjinë Plastike të QKUK-së, ndërkaq, minimalisht përdoret mikroskopi për implantimin e gishtërinjve.

Drejtoresha e kësaj klinike, Violeta Zatriqi, thotë se nuk ka staf të mjaftueshëm që është i specializuar për përdorimin e kësaj pajisjeje.

“Është edhe një problem tjetër, se mikroskopi ndodhet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa rastet urgjente kryhen në Emergjencë dhe mikroskopi nuk është aparat që mund të lëvizë… Kjo është një prej arsyeve pse nuk shfrytëzohet në rastet emergjente”, thotë ajo.

Të gjitha këto aparatura që nuk shfrytëzohen me kapacitete të plota janë të vjetra vetëm 1-2 vjet dhe me kosto prej qindra mijëra eurosh.

Në SHSKUK – institucionin që ka në përgjegjësi QKUK-në dhe të gjitha spitalet rajonale të Kosovës – thonë për Radion Evropa e Lirë se janë duke i shqyrtuar mundësitë për trajnime shtesë të stafit, por se, fillimisht, janë duke marrë informacione nga të gjitha klinikat, për të kuptuar se cilat aparatura nuk shfrytëzohen dhe pse.

REL-i, edhe në mars të këtij viti, ka raportuar për së paku dy aparatura në Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së, të cilat me vite nuk janë përdorur – qoftë për mungesë të materialit, apo të stafit.

Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kanë thënë më herët se bashkëpunojnë me SHSKUK-në për blerjen e aparaturave, të cilat “profesionistët shëndetësorë i konsiderojnë të nevojshme”.

Por, një problematikë që e përcjell prej vitesh sistemin shëndetësor të Kosovës është edhe mungesa gjithnjë e më e madhe e stafit adekuat, apo largimit të tij.

Të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se, deri më tash këtë vit, 160 mjekë kanë marrë të ashtuquajturën certifikatë të pastërtisë etiko-profesionale, që do të thotë se tashmë janë larguar nga Kosova, ose janë në proces të largimit.

Jo vetëm mjekë specialistë, por edhe ata familjarë po ikin nga Kosova​

Sipas kësaj ode, të larguarit – që kryesisht emigrojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian – ankohen për kushte jo të mira pune, paga të ulëta dhe keqmenaxhim.

Paga bruto e një mjeku specialist në Kosovë është rreth 1.200 euro, ndërsa në Gjermani, për shembull, arrin në mbi 4.000 euro.

Mungesa e mjekëve në klinika të caktuara shkakton edhe lista të gjata pacientësh që vihen në pritje. Por, pritjet e gjata në QKUK janë shpesh edhe pasojë e dyndjes së pacientëve nga spitalet rajonale.

(Kosova Sot Online )