Krasniqi: Edhe Gjakova është ndër komunat e ndëshkuara nga Qeveria Kurti

  • A.P /
  • 21 December 2023 - 17:05
Krasniqi: Edhe Gjakova është ndër komunat e ndëshkuara nga Qeveria Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar në Komunën e Gjakovës ku ka takuar sipërmarrës, prodhues dhe udhëheqës të qendrave inovative në këtë komunë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Krasniqi, i shoqëruar nga kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, deputeti Hajdar Beqa dhe nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbënesha Kuqi, në vizitat që i kanë bërë qendrave “BoneVet” e “Jakova Inovation Center”, si dhe ndërmarrjes “KoBa”, kanë diskutuar për sfidat me të cilat po përballen ata dhe të gjithë qytetarët e Gjakovës, si pasojë diskriminimit që po ua bën Qeveria Kurti, duke mos ndarë asnjë cent për investime të reja kapitale për këtë komunë.

“Fatkeqësisht edhe Gjakova është ndër komunat e ndëshkuara nga Qeveria Kurti, sepse edhe për Gjakovën nuk është ndarë asnjë cent për investime të reja kapitale për vitin 2024. Është për keqardhje që nuk ka një mbështetje për qytetarët e Komunës së Gjakovës, ashtu siç nuk ka pasur as për qytetarët e komunave të tjera. Por, është po ashtu për keqardhje që s’ka mbështetje as për ndërmarrësit e Komunës së Gjakovës, të cilët vërtetë me sfida të shumta, po arrijnë që të krijojnë vende pune, të mbajnë njerëzit në Gjakovë dhe po ashtu, të ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal”, tha Krasniqi.


(Kosova Sot Online)