Sot mbushen plot tetë vite nga vendimi i Gjykatës Kushtetueses për Asociacionin

  • S.A /
  • 23 December 2023 - 12:16
Sot mbushen plot tetë vite nga vendimi i Gjykatës Kushtetueses për Asociacionin

Pikërisht më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese në Kosovë kishte marrë vendim në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.Para tetë vitesh, kërkesa për përputhshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshjeje u dërgua në Kushtetuese nga presidentja e atëhershme e vendit, Atifete Jahjaga. Në vendim thuhej që parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendimin e GJK-së. Kështu, Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit, e nënshkruar në prill të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

“TE KONSTATOJË që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës”.

Në vendimin e saj prej 39 faqesh që Gjykata Kushtetuese e publikoi (23.12) në faqen e vet zyrtare thuhet se Gjykata konstaton se parimet e këtij asociacioni, siç janë përshkruar në marrëveshjen e 25 gushtit të këtij viti, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me disa nene që kanë të bëjnë me kapituj mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre. Prandaj Gjykata konstaton se akti juridik i Qeverisë së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet t‘i plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri me kapitujt e saj”. Kërkesën për interpretimin e kushtetutshmërisë së parimeve të marrëveshjes së 25 gushtit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e kishte bërë më 30 tetor të vitit 2015 Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo kërkesë pasoi pasi tri partitë politike opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, penguan mbajtjen e seancave të Kuvendit, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshja me palën serbe, marrëveshje kjo që sipas opozitës është antikushtetuese.

(Kosova Sot Online )