Vjen paralajmërimi: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë ka pësuar goditje

  • A.P /
  • 24 December 2023 - 13:19
Vjen paralajmërimi: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë ka pësuar goditje

Deputeti i Partisë Popullore të Austrisë (OVP), Reinhold Lopatka ka shprehur shpresën se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura në Serbi do të kontribuojnë për një fillim të ri në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për ruajtjen e paqes, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Lopatka tha se Bashkimi Evropian duhet t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor një perspektivë të ndershme të anëtarësimit në BE, por edhe se rajoni duhet të arrijë përparim të dukshëm. 
“Kjo është e vërtetë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por veçanërisht për Serbinë, e cila përballet me sfidën e dialogut, i cili duhet të vazhdojë me një qasje të ndershme nga të dyja palët”, nënvizoi ai.

Lopatka thotë se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka pësuar disa goditje të rënda, prandaj ai shpreh shpresën se zgjedhjet e sapopërfunduara në Serbi do të kontribuojnë për një fillim të ri dhe paqe.

I pyetur nëse BE-ja është në gjendje ta bindë Kosovën që të ketë qasje të sinqertë ndaj dialogut, ai u përgjigj se BE është e përkushtuar fuqishëm për të, sepse edhe asaj i duhet sukses.

“Nëse ka përparim, para së gjithash është mirë për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, por edhe për BE-në. Nuk duhet të merremi me fajin reciprok, por të bëjmë përpjekje shtesë. Do të ishte turp nëse Ballkanit Perëndimor i mungon mundësia për t’u anëtarësuar në BE për shkak të mosrespektimit të detyrave të shtëpisë”, tha politikani austriak për Kosovo-Online, i cili drejtoi misionin e vëzhguesve afatshkurtër të OEBS gjatë zgjedhjeve në Serbi.

I pyetur nëse marrëveshjet e arritura në dialog duhet të respektohen nga pala kosovare, ai publikisht është përgjigjur se – nëse është rënë dakord për diçka – vlen për të dyja palët.

“Nëse arrihet një marrëveshje, atëherë ajo duhet të zbatohet. Kur të lidhen kontratat, ato duhet të respektohen, dhe kështu thoshin romakët e lashtë. Përndryshe, përparimi nuk është i mundur”, tha Lopatka.
I pyetur nëse pret që procesi i zgjerimit të mbetet prioritet i Komisionit Evropian pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ai tha se projekti i Bashkimit është i paplotë pa Ballkanin Perëndimor.
“Ka kaluar shumë kohë që nga pranimi i vendit të fundit në BE. Ka kaluar një dekadë nga pranimi i Kroacisë. Shpresoj se nuk do të mbetet që Kroacia të ketë një fqinj anëtar të BE-së vetëm në veri”, theksoi Lopatka.

(Kosova Sot Online)