Abdixhiku e fton Renean të pikturojë në xhamat e zyreve të LDK-së

  • A.P /
  • 24 December 2023 - 15:46
Abdixhiku e fton Renean të pikturojë në xhamat e zyreve të LDK-së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka takuar Renea Morinën, vajzën e cila nisi të pikturoj xhama për t’i dalë në ndihmë nënës së saj vetushqyese, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Abdixhiku ka njoftuar se Renea ka zbukuruar zyret e LDK-së.

“Së bashku me Jehonën, këtë vikend, Renean dhe nënën e saj Rajmondën, e ftuam në LDK. E ftuam jo vetëm për t’i zbukuruar zyret tona, por për t’i dhënë kësaj artisteje të re sa më shumë zë e shtytje në ndjekjen e ëndërrave të bukura që i ka përpara.”

Ai tha se Renea përveç se ishte një vajzë e mrekullueshme dhe e sjellshme, kishte dhe talent të paparë.

“U kënaqëm me Erën e Rozin teksa shihnim se si vijat e tyre të bardha, shpejtë u shndërruan në panoramë fundviti të cilën do ta shohim çdo ditë këto ditë.”

Abdixhiku ka bërë ftesë për përkrahjen e artistes së re.

“Shpërndajeni. Le ta përkrahim këtë artiste të re në rrugëtimin magjik që i ka vënë vetes përpara. Atë mund ta kontaktoni në llogarinë e saj në instagram: renea.artist”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)