Albin Kurti në garë për pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut

  • A.P /
  • 24 December 2023 - 17:42
Albin Kurti në garë për pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut

Edhe zyrtarisht në garën për pushtet në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti shkroi se në hapjen e zyrës së përbashkët të këtij koalicioni mori pjesë edhe Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE i bashkëngjitet Lidhjes Europiane për Ndryshim. Sot me datë 24.12.2023, në zemër të Shkupit, gjegjësisht në Sheshin “Skenderbeu”, Lidhja Evropiane për Ndryshim bëri hapjen e zyres së përbashkët të koalicionit. Në hapjen e shtabit morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, z. Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti”, shkroi Mexhiti.

Në këtë ngjarje, ai ka thënë se me inkuadrimin e partisë së Kurtit, ata do ta bëjnë “ndryshimin e shumëpritur” edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Më gëzon fakti që në këtë ditë të bukur, frontit tonë opozitar iu bashkangjit edhe Lëvizja VETËVENDOSJE, dhe pas ndryshimit në Kosovë dhe Luginë, bashkarisht do e sjellim ndryshimin e shumëpritur edhe tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, tha Mexhiti.

Bekim Qoku, këshilltari Kurtiit foli gjithashtu. Ai tha se LVV-ja “po bëhet shtylla e katërt e këtij fronti opozitar për të sjellur ndryshimin e shumëpritur në Maqedoninë e Veriut”.

“Këtu sot po flas edhe si ish-anëtar i Aleancës për Shqiptarët, duke e ditur mentalitetin dhe frymën e strukturës së kësaj partie, i ftoj të bëhen pjesë e këtij koalicioni fitues që ta bëjmë ndryshimin e madh bashkë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)