Gazeta kroate: Me vendimin për targat RKS, Vuçiqi de facto e njohu Kosovën

  • E.K /
  • 27 December 2023 - 14:36
Gazeta kroate: Me vendimin për targat RKS, Vuçiqi de facto e njohu Kosovën

Bashkimi Evropian përshëndeti vendimin e qeverisë serbe për njohjen e targave të Republikës së Kosovës dhe e quajti këtë vendim “hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkruan gazeta kroate, Jutarnji list.

Sipas vendimit të Qeverisë së Serbisë, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, automjetet me targa RKS (Republika e Kosovës) do të mund të qarkullojnë nëpër territorin e Serbisë. Për BE-në kjo është zgjidhja përfundimtare e një problemi të vështirë që ka shkaktuar tension dhe trazira në veri të Kosovës në dy vitet e fundit. Deri më tani, shumica e serbëve në veri të Kosovës kishin targa të lëshuara nga Serbia, përfshirë ato me shenja të qyteteve që janë në territorin e Kosovës. Në anën tjetër, veturat nga Kosova me targa të Kosovës për të hyrë në Serbi është dashur të fshehin me afishe shenjën RKS.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e cila përfshin lëvizjen e papenguar të automjeteve nga Kosova dhe Serbia në territorin e njërit dhe të tjetrit, është nënshkruar më shumë se dhjetë vjet më parë nga ish-qeveria e Serbisë. Kjo tani po përdoret nga qeveria e Aleksandar Vuçiqit si argument kundër kritikave të opozitës se ka njohur simbolet e shtetit të Kosovës.

Qeveria e Albin Kurtit vendosi reciprocitetin dhe ndaloi hyrjen e automjeteve nga Serbia, të cilat gjithashtu duhej të fshihnin shenjat e vendit në targat e tyre. Dhe automjeteve në territorin e Kosovës me targa të Serbisë iu dha afat për ndërrim dhe kërcënim me konfiskim. Kjo çoi në trazira, barrikada dhe djegie të veturave të disave që i ndërruan me targa të Kosovës. Megjithatë, gjatë dy muajve të fundit, më shumë se 4000 automjete në veri të Kosovës janë riregjistruar nga targa serbe në ato të Republikës së Kosovës. Pas kësaj, qeveria serbe vendosi të njohë targat e Republikës së Kosovës.

Serbia ka vendosur të postojë një njoftim në pikat kufitare se nuk e njeh Kosovën. Mirëpo, diplomatët në BE thonë se ky hap është edhe “një lloj njohjeje de facto e Kosovës dhe zbatim i marrëveshjes” që ndër të tjera kërkon që Kosova dhe Serbia të respektojnë simbolet shtetërore të njëra-tjetrës.

“E mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat RKS të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, si dhe detyrimet e mëparshme nga dialogu lidhur me lirinë e lëvizjes, tha në një deklaratë zëdhënësi i BE-së për politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë”, Peter Stano.

“Ky paraqet gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund të fundit përfitojnë qytetarët. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të afisheve (stikerave). BE tani pret që Kosova të përgjigjet në të njëjtin drejtim”, tha Stano.

Bashkimi Evropian vazhdon t’i përsërisë thirrjet e tij drejtuar Serbisë dhe Kosovës që “të zbatojnë plotësisht të gjitha pjesët e marrëveshjes pa vonesa dhe parakushte”. Për Kosovën, kjo përfshin obligimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe për Serbinë njohjen de facto të Kosovës përmes respektimit të integritetit territorial të Kosovës, njohjes së dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe moskundërshtimit të Kosovës për anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfundon teksti i Jutarnji Listit.

(Kosova Sot Online)