Kurti: BE-ja për Asociacionin e patën shansin

  • A.P /
  • 27 December 2023 - 17:39
Kurti: BE-ja për Asociacionin e patën shansin

Derisa  BE-ja dhe SHBA-ja presin që kryeministri Albin Kurti të lëvizë drejt formimit të Asociacionit mbi bazën e propozimit europian, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti ka theksuar sot se shansi humbi në natën e 26 tetorit, kur ai zhvilloi në Bruksel një takim me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.

“Unë po ju them gjëra që ua kam thënë edhe më herët, sepse s’ka ndonjë gjë të re këtu që unë të kem përgjigje të reja”, tha Kurti sot në një konferencë për media, ku u pyet sërish për Asociacionin.

“Më 26 tetor më është thënë që situata është urgjente, nuk po përfundon agresioni rus në Ukrainë, nisi edhe një luftë në Lindjen e Mesme, rrjedhimisht është çështje jetike, urgjente, normalizimi i marrëdhënieve. Meqë është ashtu, sonte po e nënshkruajmë. Por ka renditje të dokumenteve për nga rëndësia dhe kronologjia: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe draft-statuti për të cilin unë dy ditë më herët i kisha dërguar vërejtjet e mia”, tha ai.

“Ajo ishte një shansë e madhe. Ata që në Bashkimin Europian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pati shansin. Por nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë. Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz? Po ku ka më serioz sesa të thuash eja nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan”, shtoi Kurti.

Kryeministri tha se më 18 mars, kur ishte marrë vesh me Vuçiqin në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, kishte propozuar që ta shkruante vetë draft-statutin e Asociacionin “me tri principe”. “Por m’u tha jo. Ajo ishte koha kur thuhej që të dyja palët duhet të pajtohen”, tha Kurti.

Miroslav Lajçak, ndërmjetësi i përhershëm i takimeve ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit dhe i takimeve të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, së fundmi u paraqit më i kënaqur me procesin, duke përmendur se ka progres në normalizimin e marrëdhënieve.

Por kryeministri i Kosovës tha se “Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike” dhe se kjo është “pengesë kapitale për normalizim”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u intensifikua këtë fundvit, ndërsa Bislimi dhe Petkoviq shumë shpejt pritet t’i kthehen angazhimit në bisedime. Ata u takuan në nëntor në Bruksel, pasi Kurti në tetor ishte shprehur i gatshëm të nënshkruante për themelimin e Asociacionit, sipas propozimit që ndërkombëtarët ia kishin sjellë po atë muaj.

(Kosova Sot Online)