“Arrest në shtëpi”/ Berisha: Kjo kërkesë më ka pëlqyer shumë

  • E.K /
  • 28 December 2023 - 14:39
“Arrest në shtëpi”/ Berisha: Kjo kërkesë më ka pëlqyer shumë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka komentuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar gjykatës ku përveç arrestit shtëpiak, i kërkon që të mos ketë kontakte me askënd përveç personave që janë me të në një banesë, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Ajo kërkesë më ka pëlqyer shumë. Po pse? Sepse ajo kërkesë tregon më shumë se çdo gjë tjetër, dy gjëra së pari se cili është Edi Rama, pasardhës i një xhelati që në pamje ishte intelektual, artist, por që firmoste varjen e poetit vetëm për fjalën e lirë. Havzi Nela këtë kishte, vargun. Në këtë aspekt, askush nga unë nuk e ka përdorur këtë akuzë ndaj Edi Ramës. Në qoftë se Edi Rama do ta kishte denoncuar këtë akt, Sali Berisha kurrë nuk do t’ia kishte përmendur. Thellë në bindjen time nuk mund të mbash përgjegjës djalin për të atin. Por, përderisa ky nuk e ka denoncuar dhe përkundër para dy vitesh tha është pak e dyshimtë ajo firma.

Këtij mund t’i thoshte t’i falim jetën se ishte poet. Disa anëtarë të presidiumit popullor nuk kanë firmosur. Edi Rama nuk distancohet, prandaj e përmend. Arsyeja e dytë është dëshmi e tmerrit që ka ai nga unë dhe kjo më pëlqen. Nuk them se kam pasur qëllim tmerrin, kam qëllim betejën. Përbën një arritje reale të opozitës shqiptare me këtë akt. Pastaj, se kush janë të drejtat e Sali Berishës dhe çfarë mund të bëjnë xhelatët e këtyre të drejtave, koha do t’i provojë. Aq më tepër kur zëdhënësi i tyre bëhet ish-oficeri i policisë sekrete të Enver Hoxhës. Kuvendin nuk e kanë për gjë këta. Sigurimi i Shtetit ishte mbi Kuvendin”, tha Berisha.

(Kosova Sot Online)