Ja kush nuk e përjashton mundësinë për zgjedhje të parakohshme në Kosovë

  • A.P /
  • 28 December 2023 - 17:33
Ja kush nuk e përjashton mundësinë për zgjedhje të parakohshme në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nuk ka përjashtuar mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Konjufca është shprehur se për shkak të zhvillimeve që pritet të ndodhin, është më mirë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk mund ta përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme. Mua më duket që mandati, nëse qeveria mendon se duhet të shkojë deri në fund, kush jam unë t’iu përzihem. Mirëpo, për shkak të vitit 2024 dhe zhvillimeve që i përmenda, do të dëshiroja, ky është mendim imi më privat, që Kosova të mos kalonte nëpër këto procese, e që këto procese të ndikojnë në legjitimitetin e pushtetit të ardhshëm në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas kryetarit Konjufca, për Kosovën do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me ato sfida.

“Do të dëshiroja më tepër, është alternativa që e mendoj, që do të ishte shumë më e dëshirueshme… këtë nuk e kam për Lëvizjen vetëvendosje, e kam për Kosovën, do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me ato sfida, e jo ato sfida të orientojnë karakterin e legjitimitetit”, ka thënë Konjufca në Rubikon.

Kujtojmë që viti 2024 pritet që të ketë shumë zhvillime, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, para pak ditësh ka thënë se ka një afat të qartë kohor për formalizmin e marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë.

Lajçak është shprehur se shtetet anëtare të unionit, e kanë ngarkuar bllokun evropian që zotimet e Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024

(Kosova Sot Online)