Ja sa infermierë ikën sivjet nga Kosova

  • A.P /
  • 29 December 2023 - 19:06
Ja sa infermierë ikën sivjet nga Kosova

Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori,ka deklaruar se vetëm gjatë vitit 2023, mbi 700 infermierë kanë bërë kërkesë që të pajisen me licencë që vlen për punësim jashtë vendit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gori tha se në këtë vit, trendi i ikjes ka morr hov më shumë se viteve të kaluara.

“Rënie ka pasur në vitin 2021, sigurisht për shkak të pandemisë. Ka filluar me rritje në vitin 2022, kurse në vitin 2023 është fluksi shumë më i madh, thënë qind për qind. Gjithsej, deri më tani 713 infermierë kanë aplikuar për licencë që të ikin jashtë vendit”, tha ajo në Tëvë1.

Tutje, ajo tha se shumë të rinj në Kosovë po e studiojnë Infermierinë, pasi që mundësitë për të dalë jashtë vendit janë më të mëdha.

“Ka shumë të rinj që viteve të fundit po e ndërrojnë profesionin me qëllim të arrijnë në destinacionin, ku ata dëshirojnë aq më lehtë që është e mundur. Ka drejtime të ndryshme që i po ndërrojnë degët, profesionet dhe po fillojnë ta regjistrojnë Infermierinë me qëllim që është më e lehtë për të depërtuar në vendet e rajonit, pasi që kërkesat janë të mëdha”, tha Gori.

Kryetarja e OIK-së, tha se me pagat e tanishme, infermierët nuk kanë mundësi për t’i mbuluar as shpenzimet mujore.

“Pagat që tashmë kanë infermierët është për keqardhje në Kosovë. Është bërë dallim i madh përbrenda sektorëve publike me Ligjin e Pagave. Mirëpo, me pagat tani për tani që i kanë infermierët është e pamundur për të mbijetuar. Sillet rreth 500 euro, me këtë pagë është e pamundur për t’i mbuluar shpenzimet mujore në Kosovë. Ndërsa, Gjermania iu jep paga përafërsisht rreth 2-3 herë më të mëdha. Por, përveç pagës dinjitoze kanë edhe kushte më të mira të punës, po iu mundësohet edhe sigurimi i banimit, e viteve të fundit po iu sigurohet që ta tërheqin edhe familjen atje”, shtoi ajo.

(Kosova Sot Online)