Alarmon Krasniqi: Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit e lëshuan Kosovën 200 mijë qytetarë

  • A.P /
  • 31 December 2023 - 09:11
Alarmon Krasniqi: Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit e lëshuan Kosovën 200 mijë qytetarë

Nuk pres ikje më të madhe të qytetarëve pas 1 janarit 2024, kur nis qarkullimi i kosovarëve pa viza në zonën Shengen, sesa migrimi që ka ndodhur në dy vitet e fundit, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka thënë se shqetësuese është largimi i 200 mijë njerëzve, shumica profesionistë e të punësuar, jo vetëm i nevojtarëve, që ka ndodhur para liberalizimit të vizave. Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi njerëzit po e humbin besimin në mundësitë që ofron Kosova.

“Unë nuk e shoh shumë problem 1 janarin 2024 dhe lëvizjen pa viza. Kjo është e mirëseardhur, është e vonuar e stërvonuar dhe mirë që ka ndodhur përfundimisht”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për EO, e cila e plotë do të publikohet pas Vitit të Ri.

“Ajo që ka qenë problematike është largimi i qytetarëve para liberalizimit të vizave, sepse lëvizja në zonën e Shengenit, vizita për të parë mundësitë, qofshin ato edukative, ndoshta edhe të punësimit, është më pak problematike dhe e dëmshme sesa fakti që në dy vitet e fundit, apo dy vitet e gjysmë qeverisje të Kurtit, e kanë lëshuar Kosovën mbi 200 mijë qytetarë. Shumica prej tyre me kontrata të punës, shumica prej tyre profesionistë, prej inxhinierëve, arkitektë e deri te mjekë, e cilido profesion tjetër. Kjo për mua është shqetësimi më i madh, sepse ka ndikuar që të ketë vërtet një shpopullim në disa prej viseve të Kosovës”, sipas eo.

(Kosova Sot Online)