Brukseli tregon a vlen liberalizimi për poseduesit e pasaportave serbe të cilët jetojnë në Kosovë

  • A.P /
  • 02 January 2024 - 11:00
Brukseli tregon a vlen liberalizimi për poseduesit e pasaportave serbe të cilët jetojnë në Kosovë

Liberalizimi i vizave ka hyrë në fuqi për banorët e Kosovës, por kjo sipas BE-së nuk vlen për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Departamenti i Koordinimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Nga Brukseli është konfirmuar se Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së duhet të pajtohen për një vendim të tillë dhe se procedura është në vazhdim e sipër.

”Kur merr “dritën jeshile”, propozimi i dërgohet Grupit të Punës për Vizat, pas së cilës kërkohet konfirmimi edhe në Parlamentin Europian dhe hapi i fundit i procesit është miratimi në takim ministror”, thuhet mes tjerash.

Komisioni Evropian më parë ka paraqitur një propozim për heqjen e vizave për qytetarët që kanë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por çështja mbetet ende në proces.

Pas propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe që jetojnë në Kosovë, Prishtina zyrtare i kërkoi BE-së që ta rishqyrtojë atë propozim.

(Kosova Sot Online)