Kovatchev: Ky Asociacion nuk duhet të jetë përsëritje e një Republika Sërpska të re

  • A.P /
  • 02 January 2024 - 12:34
Kovatchev: Ky Asociacion nuk duhet të jetë përsëritje e një Republika Sërpska të re

Eurodeputeti bullgar, Andery Kovatchev, ka deklaruar se Serbia nuk duhet t’i shmangë obligimet e saja nga marrëveshjet që kanë dalë nga procesi i dialogut me Kosovën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kovatchev ka bërë thirrje dhe ka thënë se Bashkimi Evropian pret që Prishtina dhe Beogradi të bëjnë progres në premtimet e tyre për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Pyetja kryesore është se çfarë asociacioni do të jetë? Sigurisht që ky Asociacion nuk duhet të jetë përsëritje e një Republika Sërpska të re brenda Republikës së Kosovës”, ka thënë Kovatchev.

Në një intervistë ekskluzive, ai ka theksuar se terroristët si të gjithë kriminelët duhet të dalin para drejtësisë, duke folur për agresionin serb në Banjskë të Zveçanit në 24 shtator. Kovatchev shtoi se në Evropën e sotme nuk ka hapësirë për asnjë lloj ideologjie të bazuar në urrejtje. Sipas tij, depërshkallëzimi dhe zgjidhjet për çështjet e hapura mbeten parësore.

Deputeti i Parlamentit Evropian ka pohuar se Serbia duhet të zgjedhë anën e saj dhe të tregojë përkushtim ndaj parimeve të BE-së.

“Është një nga shtetet e pakta evropiane që nuk rreshtohet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Kosova ka miratuar sanksione dhe ka shprehur solidaritet të fortë me Ukrainën. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Serbia. Në përgjithësi, Beogradi duhet të tregojë më shumë përkushtim ndaj vlerave dhe standardeve të BE-së – ai duhet të japë reforma, jo më pak në lidhje me sundimin e ligjit”, ka thënë Kovatchev.

Kovatchev ka theksuar se ka shumë rreziqe për të pasur ndarje në Ballkanin Perëndimor dhe se shtetet anëtare të BE-së duhet të punojnë në mënyrë proaktive për t’i reduktuar ato ndarje.

“Kremlini është gjithmonë në kërkim të çështjeve që mund të shtohen për të nxitur kaos dhe keqkuptime. Një shembull më pak i njohur, por veçanërisht zbulues, është përpjekja e tyre për të rritur ndarjet në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për shembull, në kohën kur në vitin 2017 po zhvillohej dhe negociohej “Traktati (vendimtar dhe historik) për Marrëdhëniet e Mirë fqinjësore”, Kremlini mobilizoi agjentë në të gjithë rajonin me synimin për të parandaluar nënshkrimin e tij“, ka thënë Kovatchev.

(Kosova Sot Online)