Kurti edhe një herë për targat: Jeta e njerëzve lehtësohet me respekt të ndërsjellë të sovranitetit

  • E.K /
  • 05 January 2024 - 15:41
Kurti edhe një herë për targat: Jeta e njerëzve lehtësohet me respekt të ndërsjellë të sovranitetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në gjuhën angleze edhe në platformën X për vendimin e mbrëmshëm për të lejuar automjetet me targa serbe në Kosovë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti ka shkruar se respektimi i sovranitetit të njëri-tjetrit është çelësi për ta bërë jetën më të lehtë të njerëzve në vend të preteksteve për agresion

“Respektimi i sovranitetit të njëri-tjetrit është çelësi për ta bërë jetën më të lehtë të njerëzve në vend të preteksteve për agresion. Qeveria jonë ka marrë vendimin reciprok të qeverisë së Serbisë, duke lejuar hyrjen e targave serbe në Kosovë pa afishe, ashtu siç hyjnë lirisht targat e Kosovës në Serbi”, ka shkruar Kurti.

Qeveria e Kosovës mbrëmë në një mbledhje elektronike tha se shfuqizimi i vendimit për ‘stickers’ nga ana e saj “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.

(Kosova Sot Online)