Bora dhe stuhia krijojnë probleme në Kroaci: Disa aksidente në autostradën Zagreb – Beograd

  • S.A /
  • 08 January 2024 - 12:39
Bora dhe stuhia krijojnë probleme në Kroaci: Disa aksidente në autostradën Zagreb – Beograd

Reshjet e borës që përfshinë Ballkanin krijuan probleme të mëdha në Kroaci, veçanërisht në autostradën Zagreb – Beograd, ku shërbimet dimërore po përpiqen që nga mëngjesi i hershëm të krijojnë kushte pak a shumë normale për vozitje, transmeton "Kosova Sot Online ".

Mirëpo, për shkak të kushteve të rënda atmosferike, në autostrada janë shënuar disa aksidente trafiku.

 

Siç raportojnë mediat kroate, aksidentet janë regjistruar në autostradën Zagreb – Beograd, ku në aksidente janë përfshirë edhe vetura e kamionë.

Sipas raportit të agjencive shtetërore kroate, disa pjesë të autostradës A1 Zagreb-Ploçe-Karamatiçi ishin mbyllur për trafik mëngjesin e sotëm për shkak të erërave të fuqishme.

Të dyja këto autostrada frekuentohen edhe nga mërgimtarët nga Kosova të cilët në këtë periudhë po kthehen në vendet ku jetojnë në Perëndim.

Kushte të ngjashme të motit janë regjistruar edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku trafiku në shumë seksione është i vështirë për shkak të borës.

(Kosova Sot Online )