Kamberi: Po dënohen të gjithë ata që kanë qëndrim të kundërt nga narrativa zyrtare në Serbi

  • A.P /
  • 09 January 2024 - 20:22
Kamberi: Po dënohen të gjithë ata që kanë qëndrim të kundërt nga narrativa zyrtare në Serbi

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se rrahja e politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, dhe kërcënimet e drejtorit të shkarkuar të BIA-s, Aleksandar Vulin ndaj kundërshtarëve politikë, dëshmojnë kahjen e ecjes së Serbisë.

Sipas tij, po dënohen dhe kërcënohen të gjithë ata që kanë qëndrim të kundërt nga narrativa zyrtare në Serbi.

"Dënohen apo kërcënohen të dënohen të gjithë ata që për çështjet e caktuara politike kanë qëndrim apo deklarim të kundërt nga narrativa zyrtare. Kërcënimet po bëhen histerike ndaj atyre që flasin për Kosovën shtet apo krimet e kryera në Kosovë. Rrahja e politikanit opozitar, N. Sandulloviq, kërcënimet e drejtorit të shkarkuar të BIA-s, A. Vullin, se ‘ka lënë në proces shumë akuza ndaj individëve’ vetëm dëshmojnë kahjen e ecjes ky Serbisë”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Duke e përdorur termin “delikt verbal”, Kamberi ka thënë se këto veprime që kundërshtohen me ligj, ekzistojnë në regjimet totalitare, ku nuk lejohet fjala e lirë.

(Kosova Sot Online)