Blinken: SHBA mbështet 'hapa konkretë' për një shtet palestinez

  • A.P /
  • 10 January 2024 - 15:24
Blinken: SHBA mbështet 'hapa konkretë' për një shtet palestinez

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, se Uashingtoni mbështet “hapa konkretë” drejt krijimit të një shteti palestinez, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Blinken përsëriti qëndrimin e kamotshëm të Uashingtonit se një shtet palestinez duhet të ekzistojë përkrah Izraelit, “duke jetuar të dy në paqe dhe siguri”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, përmes një deklarate.

Krijimi i një shteti palestinez pritej të ndodhte pas Akordeve të Oslos në vitet ’90, por bisedimet kanë ngecur për vite të tëra.

Qeveria izraelite nuk ka shfaqur interes për ringjalljen e negociatave dhe udhëheqja palestineze vazhdon të jetë e ndarë midis Autoritetit Palestinez, që udhëhiqet nga Abbasi, dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – që udhëheq me Rripin e Gazës.


(Kosova Sot Online)