Macron ka emëruar Gabriel Attalin si kryeministër të ri të Francës

  • A.P /
  • 10 January 2024 - 23:00
Macron ka emëruar Gabriel Attalin si kryeministër të ri të Francës

Presidenti Emmanuel Macron ka emëruar Gabriel Attal-in, ish-ministrin e Arsimit, si kryeministër të ri të Francës njoftoi të martën Pallati Elysee, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

34 vjeçari Attal bëhet kryeministri më i ri në historinë e Francës. Ai konsiderohet një njeri i besuar i Macronit. Attali, i cili është hapur homoseksual, pason kryetaren e qeverisë, Elisabeth Borne (62 vjeç), e cila dha dorëheqjen të hënën.

Ndryshimi i personelit konsiderohet si një lëvizje e Macronit, i cili dëshiron t'i japë vrull qeverisë pak muaj para zgjedhjeve evropiane në qershor. Në sondazhe, partia e Macronit "Renaissance” qëndron qartë pas lëvizjes "Rassemblement National" të udhëhequr nga kryetarja e opozitës së ekstremit të djathtë Marine LePen.

Attali, i konsideruar si një komunikues i mirë, bëri emër si zëdhënës i qeverisë gjatë pandemisë. Pas emërimit të tij si ministër i Arsimit, ai ndaloi veshjen myslimane Abaya në shkollat publike të Francës. Ndalimi i veshjeve të gjata orientale i solli Attalit duartrokitjet e konservatorëve.

Dorëheqja e kryeministres u njoftua me një X

Dorëheqjen e kryetares së qeverisë së tij Macroni e njoftoi në mënyrën më të përmbledhur që mund të përfytyrohet: me një postim në X, Twitter-in e vjetër. Një fotografi e të dyve duke qëndruar me krahët e kryqëzuar, por duke i buzëqeshur me dashamirësi njëri-tjetrit. Më poshtë, disa rreshta mirënjohjeje të sinqertë.

Ai tani nuk pret ndryshime të mëdha, pavarësisht nga qeveria e re, i tha kreu i grupit opozitar Les Ecologistes, Cyril Chatlin,  radiostacionit France Info: "Presidenti (do të) mbështetet tek të besuarit e tij më të ngushtë. Në një farë mënyre, ai kërkon vazhdimësinë për vete”, thotë Vhatlin.

Sipas tij, Franca do të ketë të njëjtën politikë për muajt në vijim. "Ajo që na duhet është një kryeministër që nuk ia detyron ekzistencën e tij politike presidentit dhe që mund të vendosë piketa të forta. Nuk e kuptoj se si do të ishte e mundur kjo me Emmanuel Macronin."

(Kosova Sot Online)