Egzon Azemi i VV-së kërkon përjashtimin e prokurores në rastin ku po gjykohet bashkë me Arlind Manxhukën

  • S.A /
  • 11 January 2024 - 12:03
Egzon Azemi i VV-së kërkon përjashtimin e prokurores në rastin ku po gjykohet bashkë me Arlind Manxhukën

Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelaj, është kërkuar përjashtimi i prokurores Fikrije Fejzullahu nga ky rast, andaj për t’u shqyrtuar kjo kërkesë, seanca u shty, transmeton "Kosova Sot Online".

Ishte ish-asamblisti i VV-së, Egzon Azemi i cili kërkoi përjashtimin e prokurores Fikrije Fejzullahu nga ky rast.

“Kërkoj përjashtimin e prokurores, unë personalisht nuk e kam njohur paraprakisht as prokuroren as palën kinse të dëmtuar, mirëpo pas intervistimit që kemi pasur nga prokurorja në fjalë edhe vetë gjatë këtij intervistimi, prokurorja ka deklaruar se është përfolur disa herë se ka qenë prokurore në rastet të cilat janë të perfshirë aktivistët e VV-së”, tha Azemi.

Ai theksoi se në aktakuzë ngarkohen si persona zyrtarë edhe pse nuk mund të akuzohesh për një vepër të tillë nëse një i pandehur e ka kryer një vepër pa qenë person zyrtar.

“Një aktakuzë e ngritur nga po kjo prokurore e cila përbëhet nga falsifikime skandaloze, tjetërsime madje edhe të pozitave tona sepse në krye të aktakuzës cilësohemi si persona zyrtarë, ndërkohë nuk ka nevojë që të jesh jurist që të kuptosh se nëse një i pandehur në këtë rast e ka kryer një vepër pa qenë person zyrtar, nuk mund të akuzohet si i tillë”, shtoi Azemi, përcjell Betimipër Drejtësi.

Sipas tij, prokurorja duhet të merret me raste të krimeve më të rënda, e jo me postime të Facebook-ut, të cilat thotë se nuk përmbajnë asnjë kërcënim.

“Porkurorja që vetë më njoftoi se është e njohur me trajtimin e rasteve politike, është prokurore në Prokurorinë Speciale që do të duhej të merrej me rastet e krimeve më të rënda që ndodhin në Republikën e Kosovës dhe e njëjta gjen kohë ose mbase edhe është e detyruar që të merret me postime të Facebook-ut që nuk përmbajnë asnjë kërcënim, por thjesht në këtë rast ka qenë një thënie e një heroi kombëtar, të cilën e gjen në secilën literaturë shkollore të Repulibikës së Kosovës”, tha Azemi.

Në anën tjetër, prokurorja Fejzullahu tha se është e arsyeshme që kërkesa e tij të shqyrtohet në mënyrë që t’iu jepet mundësia të vazhdojnë tutje në përputhje me dispozitat ligjore.

“Shihet qartë që kërkesa e Egzonit ka të bëjë me përjashtimin tim me arsyet e tij, e bazuar në këtë, konsideroj se është e drejtë dhe e arsyeshme që kërkesa e tij të shqyrtohet në mënyrë që të na jepet mundësia që të vazhdohet tuje në përputhje me dispozitat ligjore”, tha ajo.

Për shkak se i akuzuari Elshani kishte udhëtuar nga Gjermania për këtë seancë, Azemi tha se mund ta shtyjë kërkesën e tij për herën tjetër, por që gjykatësi Arben Hoti, vendosi që seanca të shtyhet.

(Kosova Sot Online )